Vendosni fjalën kyçe....

Gazment Bardhi shfaqet në krah të kandidatit të Rithemelimit në Vaun e Dejës, ‘braktis’ kandidaten e Alibeajt


Gazment Bardhi është shfaqur në krah të kandidatit të dalë nga Primaret e Rithemelimit të PD-së në Vaun e Dejës, Zef Hila.

Edhe pse zyrtarisht ai konsiderohet pjesë e PD-së zyrtare që drejtohet nga kreu i komanduar Enkelejd Alibeaj, në Vaun e Dejës ai mbështet Zef Hilën e jo kandidatën zyrtare të PD-së, Klomentina Drini.

Gjatë një takimi me strukturat në Vaun e Dejës, Bardhi tha se demokratët duan që të fitojnë Vaun e Dejës, të cilën sipas tij, e ka fituar padrejtësisht Tom Doshi në vitin 2019.

“Ajo që dua të siguroj nga kryetari deri tek anëtari fundit në këtë sallë është se unë jam në krahun tuaj. Ajo që ju doni, është që në 14 maj, Tom Doshi në 14 maj të dorëzojë çelësat e bashkisë së Vaut të Dejës që e ka marrë pa të drejtë në vitin 2019. Jam i vetëdijshëm që kandidatura është me potencial që kur ka dalë. Madje me Zefin kemi diskutuar që në vitin 2021.” – tha Bardhi.

Më herët Bardhi ka bërë pjesë në grupin e deputetëve të PD-së që kanë bërë thirrje që grupi i Alibeajt të shpallë kandidatura vetëm për këshilla bashkiakë në zgjedhjet e 14 majit e jo për bashkitë.

Përveç Zef Hilës, për Vaun e Dejës konkurrojnë edhe Klomentina Drini e PD-së si dhe Kristian Shkreli i PS-së.