Vendosni fjalën kyçe....

Investigimi i Shqiptarja.com / Belind Këlliçi s’ka diplomë të shkollës së mesme


Kur Evi Kokalari, themeluese e Foltores së Sali Berishës, do të shkruante pak javë më parë, në rrjetet sociale, se kandidati i çiftit Berisha-Meta për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, nuk e ka mbaruar shkollën e mesme në Shqipëri e për rrjedhojë nuk ka diplomë, shumëkush u çudit si mund të kishte ndodhur kjo.

Si mundej që dikush kishte arritur të mashtronte sistemin, duke gënjyer fillimisht shtetin amerikan të Maryland (ku ndodhet Coppin University), e më pas edhe shtetin shqiptar?

Akuza e Kokalarit ishte e rëndë. Për këtë arsye, kemi bere disa pyetje lidhur me këtë çështje, për të hedhur pak dritë mbi këtë rast, i cili do të ishte i ngjashëm me mashtruesit tipik, ose “con man”, siç njihen në SHBA.

Pra, a ka diplomë të shkollës së mesme Belind Këlliçi dhe a e ka mashtruar ai shtetin amerikan të Maryland, për t’u regjistruar në ‘Coppin University’, e më pas, edhe shtetin shqiptar për të kryer njësimin e diplomës?

Për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve, iu drejtuam fillimisht Institutit “Harry Fultz”, e cila në përgjigjen e saj zyrtare, që mban datën 16 janar 2023 (dokument kopje të të cilit e disponojmë), konfirmon se Belind Këlliçi ka përfunduar vetëm 4 vite studime nga cikli 5 vjeçar i Degës Biznes, duke vërtetuar faktin se ai nuk e ka përfunduar shkollën e mesme (nivelin 4 të kualifikimit) dhe nuk është diplomuar për programin e studimit përkatës. Pra, nuk disponon një diplomë që vërteton përfundimin e shkollës së mesme.

Të njëjtin fakt, pra që Këlliçi nuk është pajisur kurrë me diplomën e shkollës së mesme, e konfirmon edhe Ministria e Arsimit, të cilës iu drejtuam zyrtarisht dhe morëm përgjigje me një shkresë (kopje të së cilës e disponojmë), e cila shprehet se në rregjistrat e maturës shtetërore nuk gjendet emri i Këlliçit.

Që do të thotë se Belind Këlliçi nuk është futur në provimet e Maturës Shtetërore, e për rrjedhojë nuk mund të jetë pajisur kurrsesi me një diplomë të vlefshme të shkollës së mesme. Kjo konfirmohet edhe nga numri i amzës së shkollës së mesme, me anë të së cilës vërtetohet se ai nuk e ka mbaruar ciklin e plotë 5 vjeçar, pasi në regjistër ka një shënim ku thuhet “është larguar jashtë shtetit” në vitin 2004-2005.

Por, skandali thellohet edhe më shumë kur, nga përgjigja zyrtare që kemi marrë nga Ministria e Arsimit, vërtetohet se Belind Këlliçi ka kryer njësim të paligjshëm të diplomës universitare, pas kthimit nga SHBA. Kjo ka ndodhur në vitin 2010 kur Ministria e Arsimit drejtohej nga qeveria e Sali Berishës dhe nuk dihet nëse dikush ka mbyllur një sy apo Këlliçi ka mundur që të mashtrojë komisionin, njësoj siç bëri edhe me universitetin amerikan.

Çfarë ka ndodhur? Njësimi i paligjshëm i diplomës universitare nga ana e Ministrisë së Arsimit qëndron në faktin se një diplomë universitare “Bachelor”, niveli 6 i kualifikimit, sipas Kornizës Shqiptare e Kualifikimeve, është njohur si “master i shkencave”, niveli i 7 i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, në kundërshtim me ligjin nr. 10247/2010 “Për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve”, (sipas të cilit, të kesh akses në nivelin 6 të kualifikimit duhet të kesh përfunduar nivelin 4 të kualifikimeve) dhe ligjin nr. 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë” (neni 92 i tij).

Por, siç na u konfirmua zyrtarisht edhe nga Instituti “Harry Fultz”, edhe nga Ministria e Arsimit, Këlliçi nuk rezulton të ketë diplomë të shkollës së mesme, e për rrjedhojë nuk ka sit ë kryhet njësimi i diplomës universitare.

Nga ana tjetër, nga dokumentacioni i siguruar nga Ministria e Arsimit lidhur me këtë çështje, Këlliçi ka deklaruar përpara komisionit të njësimit të diplomës (deklarata e depozituar prej tij në MAS) se kriteri hyrës në Universitetin që ai ka përfunduar studimet është “përfundimi i shkollës së mesme”. Ky fakt konfirmohet edhe nga një hulumtim në faqen zyrtare të “Coppin University”, ku sipas saj, kriteri minimal hyrës në këtë universitet është pikërisht “përfundimi i shkollës së mesme”.

Po atëherë si ka mundur që Belind Këlliçi të regjistrohet në Universitetin amerikan, pa pasur diplomën e shkollës së mesme?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, duhet të kthehemi pas në kohë, në vitin 2005. Nga informacionet që ka mundur të mbledhime, në vitin kur Belind Këlliçi është regjistruar në “Coppin University” (2005), vëllai i tij punonte pikërisht në zyrën e pranimeve të studentëve të universitetit amerikan. Ka dyshime të forta se ka qenë pikërisht vëllai i tij, i cili nëpërmjet ndërhyrjes së tij, e ka ndihmuar të regjistrohet lehtësisht në këtë universitet, pa e pasur diplomën e shkollës së mesme. Vetë Këlliçi ka rrëfyer se vëllai i tij e ka mbështetur shumë gjatë viteve si student në SHBA, si edhe ka pranuar se ai është edhe financuesi kryesor i fushatës së Këlliçit me sponsorizime prej mijëra eurosh në Facebook.

Këto fakte tregojnë qartë se ai ka gënjyer dhe ka mundur që, përmes një hileje, të mashtrojë qoftë universitetin amerikan dhe shtetin e Maryland-it në vitin 2005, por edhe shtetin shqiptar, në vitin 2010, kur ka bërë njësimin e diplomës? Kujtojmë këtu se me ligjet e shtetit të Maryland, mashtrimi me dokumentet zyrtare përbën vepër penale.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Shqiptarja.com