Kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako ka qenë e ftuara e radhës në podcastin e Kryeministrit Rama.
Sako, të cilës Rama i referohet si ‘kryebashkiakja e tërmetit’ ka zbuluar bisedën e parë me kreun e qeverisë kur mori postin në kohë pandemie dhe nuk mund të bënin aktivitete në terren por komunikonin përmes aplikacionit ‘Zoom’.
“Po. S’besoj se do e harroj ndonjëherë. Fjalia me të cilën ne jemi takuar, kemi qenë në një mbledhje zoom sepse në kohën kur unë mora detyrën e këshillit bashkiak nuk ishte e mundur që të bënim aktivitete në terren prej pandemisë, pra dy sfida të mbivendosura tërmeti dhe pandemia dhe fjalia që ju më keni thënë është: “merr një krevat dhe fli në bashki tani”, që ishte për një person që sapo kishte marrë një detyrë, çfarë detyre në një moment shumë të vështirë të qytetit të Durrësit, ku përveç tërmetit ishte dhe pandemia. Nuk ishim takuar asnjëherë më parë. Unë nuk kisha patur mundësi që të takohesha me ju më herët. Ndodhi në këtë mënyrë”, tha Sako.
Në podcast-in me Ramën, Sako thotë se nuk ka menduar asnjëherë që të lërë punën pasi këtë e ka diskutuar më parë me familjen. Edhe diskutimet që kishte në fillim me nënën e saj nuk janë më pasi tanimë nuk e kanë më fokusin që t’i përgjigjen sulmeve.
Edi Rama: Sa herë gjatë gjithë kësaj periudhe tre vjeçare, sa herë ke menduar që çfarë merrem me këtë punë, më mirë ta lë fare?
Emiriana Sako: Asnjëherë!
Edi Rama: Nuk e ke pasur kurrë këtë…
Emiriana Sako: Jo, asnjëherë!
Edi Rama: Në momentin që të ka ardhur në majë të hundës nga ndonjë situatë mbingarkese.
Emiriana Sako: Ka pasur lodhje shumë domethënë. Unë e kam marrë detyrën në 23 prill të 2020 dhe e diela e parë që kam qëndruar paradite, pra që nuk kam shkuar në bashki fizikisht, ka qenë mbase gushti i 2021. Pra kjo ka qenë një kohë shumë intensive pune por unë e kam parë si një mundësi që…
Edi Rama: Po sa herë të ka thënë burri ca merresh me këtë punë, lëre fare.
Emiriana Sako: I kam thënë që para se të thoja po, i kam thënë, po të pyes që mos më thuash pastaj pse s’na pyete, më le mua me kalamajtë apo i le kalamajtë rrugëve. E kur më thotë kështu, i them që të pyeta.
Edi Rama: Po prindërit? Sa herë i gjen me çehre të vrarë, me ilaçe për t’u qetësuar nga çfarë dëgjojnë kur të sulmojnë.
Emiriana Sako: Po, ime më më tepër domethënë se im atë është më indiferent si natyrë, më i ftohtë, por ajo është, edhe në zgjedhjet e marsit ishte, domethënë nuk guxoja të shkoja në shtëpi atje se fillonte me pyetjet, po ky tha kështu, po pse e tha ai atë? Tani është më e preokupuar që të takojë njerëzit e të bëjë fushatë për mua.
Sako ka kujtuar Komisionin Hetmor për Inceneratorët ku pati tenosione dhe debate të ashpra. Ajo thotë se i dukej i padrejtë se ishte në fushatë zgjedhore, megjithatë u përpoq që të ruante qetësinë.
“Doja të bëja një refleksion të asaj që kam ndier unë të paktën në këtë tre vjeçar për të qenurit pjesë ne politikë. Në përgjithësi, edhe nga të rinjtë që janë pritet mbase një lloj agresiviteti për t’u bërë i barabartë me atë medium që është në Shqipëri që të jesh politikan duhet të bësh debat, duhet të jesh i sherrosur gjithë kohës e të tjera me radhë dhe unë kam qenë e kundërta e kësaj sepse këtë formim kam edhe këtë natyrë kam. Në përgjithësi jam e fokusuar te puna dhe te raporti me njerëzit. Ajo është më e rëndësishmja për mua, por kur kam qenë në Komision Hetimor patëm një farë përplasje me grupin e komisionit dhe në fakt, unë isha… po të më shpoje nuk me dilte një pikë gjak në atë debat që patëm aty sepse më dukej i padrejtë. Më dukej i kërkuar sepse unë isha në një fushatë zgjedhore. Pra, më dukej si një mizanskenë tamam kështu më dukej. Ndërkohë, njerëzit më falenderonin, më thonin bravo për sjelljen, për qëndrimin, për përballjen që kisha bërë dhe nuk arrija t’i besoja syve se mua më dukej një gjë negative ajo që kishte ndodhur atje, ndërsa njerëzit e kërkonin këtë gjë mesa duket dhe kjo unë mendoj se duhet të ndryshojë sepse politika nuk bëhet vetëm nëpërmjet këtij debati kaq të fortë dhe shpesh herë shterpë, por bëhet nëpërmjet fakteve, qëndrimeve, nëpërmjet punës, e të tjera me rradhë siç bëhet në çdo profesion tjetër”, tha Sako.