Vendosni fjalën kyçe....

Të zhdukur prej 17 ditësh, familjarët protestë para komisariatit të Sarandës: Të gjendet çfarë ka ndodhur


Familjarët e dy të zhdukurve nga fshati Çukë i Sarandës kanë protestuar para komisariatit të Sarandës.

Ata kërkojnë zbardhjen e fatit të 46-vjeçarit Leonard Thodhori e 46-vjeçarit Fatmir Sulovari.

Dy personat në fjalë janë zhdukur në mënyrë misterioze prej 17 ditësh ndërsa deri tani nuk ka asnjë të dhënë për fatin e tyre.

Familjarët e dy të zhdukurve thanë se do protestojnë çdo ditë para komisariatit derisa të kenë një përgjigje.

“Nëse të marr unë peng, të fus në makinë, a do vijë shteti? Pse nuk vjen për djalin tonë? Nuk duam ta dimë kush e ka vrarë, ai që e ka vrarë të dalë para drejtësisë të marrë dënimin që meriton. Kaq duam ne.” – tha njëri nga familjarët.

Personat e zhdukur janë emra  të njohur për drejtësinë. Theodhori ka qenë disa herë i dënuar dhe është një nga personat e dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti.

Ai është arrestuar disa herë për vjedhje, mashtrim e moskallëzim krimi ndërsa dyshohet si përdorues lëndësh  narkotike.

Fatmir Sulovari ka qenë dënuar më parë për ‘armëmbajtje pa leje’ dhe ‘plagosje e lehtë me dashje’. Ai është arrestuar në prill 2022 në Lushnjë, pasi në mjetin e tij ‘BMW’ X5 u gjet një sasi kanabisi.