Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadori kinez u vuri në dyshim sovranitetin, shtetet baltike kërkojnë shpjegime nga Pekini


Letonia, Estonia dhe Lituania kanë paraqitur një protestë të përbashkët ndaj një deklarate të fundit të ambasadorit kinez në Francë dhe kanë kërkuar një shpjegim nga Pekini. Duke folur për mediat, Lu Shaye vuri në pikëpyetje bazën ligjore për sovranitetin e ish-republikave sovjetike.

Duke postuar në Twitter të shtunën, ministri i Jashtëm Letonez Edgars Rinkevics e përshkroi komentin e Lu si ‘të papranueshëm’ dhe zbuloi se Riga, në bashkërendim me Talinin dhe Vilniusin, kishte thirrur të ngarkuarit me punë të Kinës në tre vendet baltike për ‘të dhënë shpjegime të hënën’.

Në një postim të veçantë, Rinkevics shkroi se vendet presin një ‘tërheqje të plotë të kësaj deklarate’ nga Pekini.

Kryediplomati i Estonisë, Margus Tsahkna, e denoncoi vlerësimin e Lu si ‘të rremë’ dhe një ‘keqinterpretim të historisë’. Ai këmbënguli se ‘shtetet baltike sipas ligjit ndërkombëtar kanë qenë sovrane që nga viti 1918, por ishin të pushtuara për 50 vjet’.

Ministri i Jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis, nga ana tjetër, vuri në dukje se vërejtja e diplomatit kinez shërben si provë se Pekinit nuk mund t’i besohet si ndërmjetësues i paqes në konfliktin e Ukrainës.

Në një intervistë me transmetuesin francez LCI të premten, ambasadori Lu diskutoi konfliktin e Ukrainës dhe pohoi se ‘vendet e ish-Bashkimit Sovjetik nuk kanë status efektiv në të drejtën ndërkombëtare sepse nuk ka asnjë marrëveshje ndërkombëtare për ta konkretizuar statusin e tyre si vend sovran’.

Në një deklaratë të dielën, Ministria e Jashtme franceze theksoi solidaritetin e saj me aleatët e NATO-s të Evropës Lindore, duke shtuar se shtetet baltike fituan pavarësinë e tyre ‘pas dekadash shtypjeje’.

Parisi gjithashtu e bëri të qartë se pret që Pekini të qartësojë pozicionin e tij për këtë çështje.

Tre shtetet baltike ishin pjesë e Perandorisë Ruse nga shekulli i 18-të deri në revolucionin e vitit 1917. Letonia, Estonia dhe Lituania shpallën pavarësinë e tyre një vit më vonë. Në vitin 1940, Bashkimi Sovjetik vendosi ushtrinë e tij në të tre vendet, duke ndihmuar komunistët vendas të vijnë në pushtet.

Autoritetet e reja shpejt lëshuan kërkesa zyrtare për t’u bashkuar me Bashkimin Sovjetik. Nga viti 1941 deri në vitin 1945, shtetet baltike u pushtuan nga Gjermania naziste.

Që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në 1991, Riga, Talini dhe Vilnius kanë këmbëngulur se dekadat e sundimit sovjetik nuk ishin gjë tjetër veçse një pushtim i paligjshëm, një përshkrim që Moska e kundërshton.

Ministria e Jashtme ruse pretendon se të tre shtetet u përthithën nga Bashkimmi Sovjetik në përputhje me ligjet dhe normat ndërkombëtare që ishin në fuqi në mesin e shekullit të 20-të.