Vendosni fjalën kyçe....

Balla thumbon Berishën: Non grata e shkuar politike, as emri s’i del më në fletët e votimit


Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla ka ironizuar kreun e Rithemelimit të PD-së Sali Berisha duke e quajtur një ‘non grata’ që është e shkuara politike, emri i të cilit është fshirë edhe në fletët e  votimit.

Ai e thumboi ish-kryeministrin gjatë një takimi me banorët e Ballagatit në Lushnjë ndërsa u bëri thirrje votuesve që ta mendojnë mirë kujt do ia japin votën më 14 maj.

“Në ekipin përballë nesh është Saliu i cili ka fshirë emrin e tij dhe ka vendosur emrin e Ilir Metës. Tani le të më thotë demokrati më i paepur i Mallakastrës, kujt do ja japim votën më 14 maj, Ilir Metës, Nard Ndokës apo Vangjel Dules. Në fletën e votim koalicioni quhet “Bashkë Fitojmë” Ilir Meta, sepse le të përpiqet sa të dojë non grata, emri nuk i del më në fletë votimi. Sapo e shpalli Amerika non grata nuk ka më emër në fletë votimi dhe unë mendoj që kjo është diçka që njerëzit duhet ta mendojnë mirë, për çfarë duhet t’i japim ne një votë Sali Berishës sepse po i dhamë votë ai do ta përdorë atë kundër Amerikës. Prandaj unë mendoj që populli i kësaj zone duhet t’i bashkohet Eriseldës dhe Edi Ramës sepse e vërteta është që me votën që ju dhatë në 6 mars ne krijuam një model të ri në qeverisjen e bashkisë”.

Gjithashtu Balla theksoi se vetëm qeveria e Ramës ka bërë të mundur që të rriten pensionet dhe pagat, apo edhe mbështetja për bujqësinë.

“Kush mendon se mund të rrisë pensionet në Shqipëri, qeveria me Edi Ramën apo Ilir Meta me Saliun. Kush mendon se mund të japë mbështetjen për bujqësinë. I kemi provuar të dy,   nuk kam gjë me kandidatin përballë por ka gjetur dyshen e gabuar. Këto ditë qeveria po rrit pensionet, po rrit pagat ku pasi kaluam pandeminë, temetin, luftën që po vazhdon mendoj se tani ka ardhur momenti që të fokusohemi tek pagat pasi përndryshe infermierët na ikin në Gjermani. Dhe thonë këta demokratët pastaj jo se po i rrisin për fushatë, por ne ktu do jemi në maj, qershor, në korrik, në gusht. Si u rriskan këto për fushatë. Ç’lidhje ka  fushata me pagën e infermieres, me pagën e mësuesit. Natyrisht që do i rrisim se ndryshe sdo  të kemi mësues që të na mësojnë gjuhën shqipe. Qëllimi jonë është të ecim përpara, por vetëm me Partinë Socialiste dhe Edi Ramën ne mund të ecim përpara duke lënë pas njëherë e përgjithmonë të shkuarën.” – shtoi Balla.