Vendosni fjalën kyçe....

Edhe Bejko premton bllokimin e projektvendimit për prishjen banesave mbi 50-vjeçare


Kandidati i Partisë Demokratike, Roland Bejko ka vijuar takimet me banorët e Tiranës në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit.

Bejko u ndal në zonën e Ali Demit, ku ka dëgjuar edhe shqetësimet e banorëve.

Bejko ashtu si dhe kandidati tjetër nga opozita premtoi bllokimin e projektvendimit për prishjen e banesave mbi 50-vjeçare që paraqesin rrezik.

Bejko tha se nëse do të zgjidhet kryetar bashkie më 14 maj, do të bëjë gjithçka për bllokimin e këtij projektvendimi.

Ai u tha qytetarëve, se vërtetë nuk ka mundësi kryebashkiaku që të bllokojë parlamentin, por ai ka fuqi që të çojë qytetarët e në protestë kundër atij projektvendimi.

Për Bejkon, ky projektvendim ka një qëllim të vetëm, që Erion Veliaj dhe oligarkët e tij të ndërtojnë kulla në Tiranë.

“Kjo nuk është as më shumë e as më pak, një skemë e oligarkëve, për të prishur banesat e qytetarëve pasi ju prishën hapësirat publike. Kush vjen këtu te lagja juaj, shikon që ka disa hapësira që kanë ngelur që nga koha e komunizmit dhe unë besoj se ata duhen ti zënë. Prandaj ata duhet që të prishin banesat tuaja dhe të bëjnë kullat e larta, pasi ka disa standarde që për të bërë një kullë duhet sipërfaqe e madhe poshtë. Për të justifikuar zonën e gjelbër. Me fitoren time nëse qytetarët më votojnë, do të iki kjo frikë, jo se kryetari i bashkisë do bllokojë parlamentarin ose qeverisë, por kryetari i bashkisë ka fuqi, që ti çojë qytetarët në këmbë, që ti çojë në këmbë kur abuzohet. Sepse unë nuk jam çiraku i askujt. Unë nuk  jam çiraku askujt, dhe nuk kam nga mbrapa, as Çetin, as Samirin as Bashkim Ulaj”, tha Roland Bejko.