Vendosni fjalën kyçe....

Konflikti në Sudan, SHBA evakuon stafin diplomatik


Ushtria amerikane ka evakuuar diplomatët amerikanë dhe familjet e tyre nga kryeqyteti i Sudanit, Kartum, tha presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

“Me urdhrin tim, ushtria e Shteteve të Bashkuara kreu një operacion për nxjerrjen e personelit të Qeverisë amerikane nga Kartumi”, tha përmes një deklarate Biden.

Një zyrtar tjetër amerikan tha se operacioni ishte “i shpejtë dhe i pastër”.

Ministria e Jashtme e Francës njoftoi po ashtu se ka nisur evakuimin e qytetarëve të saj dhe të stafit diplomatik nga Sudani.

Mbretëria e Bashkuar tha se po shqyrton mënyra për të evakuuar stafin e saj, ndërsa Qeveria kanadeze u kërkoi qytetarëve të saj atje që “të strehohen në vende të sigurta”.

Dhuna në Kartum ka nisur javën e kaluar midis dy ushtrive rivale, gjegjësisht ushtrisë së rregullt dhe asaj që njihet si Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.

Dy gjeneralët e tyre udhëheqin Sudanin nga viti 2021, kur përmes një grushtshteti kanë rrëzuar Qeverinë civile të vendit.

Mosmarrëveshjet e tyre tani kanë të bëjnë me transferimin e pushtetit tek një autoritet civil dhe me integrimin e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në ushtri.

Qindra njerëz janë vrarë në luftime dhe mijëra të tjerë janë larguar nga shtëpitë.