Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj thumbon opozitën: Premtuan nënkalim te Zogu i Zi, e prishën sa erdhën në pushtet me rrena


Kryebashkiaku i Tiranës Veliaj i cilësoi marrëzi premtimet e kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për nënkalim të Sheshi Skënderbej.

Gjatë një takimi në Njësinë 5, ai tha se kundërshtarët e tij premtuan nënkalim edhe te Zogu i Zi, por më pas e prishën.

Veliaj tha gjithashtu se e njëjta situatë ndodhi te ‘Astiri’ ndërsa theksoi se qytetarët nuk do kthehen më mbrapa po do ecin vetëm përpara.

“Zogun e Zi sapo erdhën në pushtet me rrena, e prishën. Ju kujtohet tre vjet bllokim te ‘Astiri’ për nënkalimin te ‘Shqiponja’. Tani këta thonë do bëjmë nënkalim te Sheshi ‘Skënderbej’ . Por, në qendër të Tiranës, aty ku ne kemi një hapësirë që ka fituar çmimin si hapësira më e mirë në Europë në 2018-ën, gropa nuk do të ketë më. Jetojmë në demokraci dhe lejohet të thuash edhe marrëzi, lejohet të thuash edhe çudira, edhe dokrra të kësaj natyre. Në demokraci biem dakord të mos biem dakord. Në histori si te Zogu i Zi, si te Astiri, që këta duan nënkalimet, shkuan t’i sabotojnë. Dhe të vetmet gropa ishin ato si e Hajdin Sejdisë. Ne mbrapa nuk kthehemi. Ne do shkojmë vetëm përpara.” – tha Veliaj.