Vendosni fjalën kyçe....

Begaj takohet me anëtarët e Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në Institucionin e Presidentit anëtarët e Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, me të cilët mbajti një leksion mbi objektivat strategjike të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.

Presidenti Begaj vlerësoi Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes si një nga kurset më të mira në piramidën e arsimit ushtarak të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Presidenti Begaj tha ndër të tjera në fjalën e tij se situata gjeopolitike globale është komplekse, e cila sipas tij, do të përcaktojë se si do të jetë e ardhmja në dekadat e mëpasshme.

Situata gjeopolitike globale është komplekse dhe mendoj që kjo situatë komplekse do të përcaktojë se si do të jetë e ardhmja në dekadat e mëpasshme. Ambienti ndërkombëtar i sigurisë dominohet nga sfidat strategjike që janë të ndërthura me njëra-tjetrën, të cilat kanë sjellë implikime jo vetëm për sigurinë tonë kombëtare, por edhe për atë ndërkombëtare.”

Gjithashtu Presidenti Begaj u ndal në fjalën e tij te rajoni, duke thënë se Ballkani Perëndimor përfaqëson oborrin parësor të Bashkimit Evropian. Rajoni i gjithi ka bërë progres në rrugëtimin Euro-Atlantik, por ka shumë hapësira dhe situata potenciale paqëndrueshmërie.

Vëmendje Presidenti i kushtoi rëndësisë së vendosjes së dialogut të përhershëm dhe normalizimit të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dialog i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilën Presidenti Begaj tha se duhet të qendërzohet në atë që ne e quajmë njohje formale reciproke.

Kreu i Shtetit shtoi më tej se arritja e marrëveshjes midis dy vendeve ishte një moment kyç, si dhe po ashtu ngjarja në Ohër e anekseve ishte një arritje që tregon se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor do të jetë shumë më e mirë.

Presidenti Begaj foli dhe për kontributin e Shqipërisë në misione të ndryshme në botë.

“Shqipëria ka qenë kontributore, le të themi eksportuese e sigurisë. Ka qenë pjesëmarrëse në shumë misione ndërkombëtare. Ka qenë në Afganistan, Irak, është në Bosnjë, Letoni, Bullgari dhe Kosovë. Do të jemi të pranishëm kudo do të na kërkohet dhe është e rëndësishme që të vazhdojmë rrugën tonë për të modernizuar Forcat e Armatosura, jo vetëm me pajisje dhe kapacitete të tjera të nevojshme, por edhe ashtu të mirëtrajtojmë personelin ushtarak.”