Koalicioni Meta-Berisha nuk do të ketë anëtarë në gjysmën e KZAZ-ve të vendit sa i takon grupeve të numërimit për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi ditën e sotme që në përbërje të grupeve të numërimit sipas legjislacionit përkatës, të ketë 2 anëtarë të Partisë Socialiste, 1 të Partisë Demokratike. Ndërsa për anëtarin e katërt, do të ketë një short mes Partisë së Lirisë, Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, ku do të caktohen KZAZ-të në të cilat këto dy parti do të kenë anëtarët e tyre.
Duke bërë kështu që koalicioni Meta-Berisha të mbetet pa asnjë anëtar në grupet e numërimit në gjysmën prej KZAZ-ve të vendit.
Gjatë seancës së mbajtur pati edhe debate mes përfaqësuesve të Partisë së Lirisë dhe të PDIU-së. Përfaqësuesi i PDIU-së, u shpreh se partia që ai përfaqëson është pjesë e opozitës parlamentare dhe jo e qeverisë siç pretendonte kolegu i tij i PL-së.
Ndërsa Celibashi u shpreh se sistemi tashmë është mjaftueshëm i konsoliduar dhe se do të numërohëen edhe votat e atyre partive të cilat nuk kanë as numërues dhe as komisionerë.
“Anëtarët e grupeve të numërimit, janë aty si ekzekutorë të një procesi administrativ. Por mungesa e madhe e besimit ndërmjet palëve politike në këtë vend, i bën ata që të kenë një fokus të shtuar në këtë proces. Gjej rastin për të rikonfirmuar që edhe pse ka atë rëndësi që ka për ju se kush i propozon anëtarët e grupeve të numërimit, mendoj se sistemi është i konsoliduar mjaftueshëm për t’u dhënë garanci edhe atyre që nuk kanë as numërues dhe as komisionerë”-tha Celibashi.
Të nesërmen në orën 12:00 do të hidhet shorti për përcaktimin e KZAZ-ve të vendit ku do të jenë të pranishëm anëtarë të PL-së apo PDIU-së.