Kryeministri Rama ka ironizuar kandidatin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Durrësin teksa ka festuar me mbështetësit e mbledhur në pallatin e sportit.
Ai vlerësoi kandidaten e PS-së Sako ndërsa për Igli Carën e opozitës tha se nuk i hyn në xhep nëse është çun i mirë pasi s’ka motër për të martuar.
Ai e quajti Carën kandidatin e dalë nga ’zorra qorre’ një emërtim për koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’.
“Ç’më duhet sesa çun i mirë është, s’kam motër për të martuar. Këtu puna është që në 14 maj populli do të zgjedhë kë të marrë në punë dhe cilat janë punët që duhen bërë. Ani më fal. Anin e kemi shalqi me provë, pse do marrim një kungull që ka dalë nga zorra qorre. Faleminderit shumë dhe tani unë kam një kërkesë që ta mbyllim me lavdi këtë takim me gra se gratë dinë t’i bëjnë të gjitha më mirë se burrat, të gjitha. Unë e kam provu në punë atë që Margaret Thatcher thotë do të bësh muhabet për diçka bëje me burra, do të mbarosh punë mbaroje me gra. E kam shumë merak të iki duke marrë një kënaqësi se akoma nuk e kam kap veten dhe duhet të ma bëni çik qejfin që ta nedzim iher këtë Pallatin e Sportit se është shumë e bukur kështu. Tani, ta nezim iher tamam me të hongsha zemrën po tashi kush të mundet duhet t’i kalojë ato barrierat, kush është këtu duhet të çohet në këmbë dhe të fillojë se ne do t’ua hamë zemrën të gjithëve, s’ka si shoqnia, s’ka si dashnia, s’ka si Shqipëria.“ – tha Rama.