Vendosni fjalën kyçe....

Alfred Lela: Mos u sëkëlldisni, posteri i Belindit është guxim politik


 Alfred Lela shefi i PR në PD i ka quajtur si sëkëlldisje reagimet e shumta sot të mediave dhe të komunitetit në lidhje me posterin e kandidatit të opozitës Belind Këlliçit, i cili shfaqet me dy gishtat e mesit të ngritur lart.

Lela e cilëson këtë gjest si simbolikë politike dhe si guxim politik.

Në renditjen e postimit të tij të këtij gjesti, Lela vijon se kjo është mënyrë të thëni që s’mund të vazhdohet të ulim kokën dhe gishtat kur gjërat kanë shkuar për “gisht” dhe se s’duhet mërzitur thotë Lela për këtë kundravajtje etike të një kandidati opozitar.

Lela vijon se reagimi ndaj gishtave të Belindit ngjan me tërbimin që PS ka patur kur Bashkia drejtohej nga Basha kur u vendosën shitoret e drunjta në Pedonale.

Postimi:

 

Së pari, është simbolikë politike;

Së dyti, është guxim politik;

Së treti, është mënyrë e të thënit se, nuk mund të vazhdojmë të ulim kokën dhe as gishtat, kur gjërat kanë ikur për gisht;

Së katërti, gishti, grushti, bërryli janë pothuajse toteme të komunikimit urban dhe politik;

Së pesti, pse mërziteni kaq shpejt me një ‘kundravajtje’ etike të një kandidati opozitar, sakohë që lopëroni në lëndinën qeveritare me lopata, pemë potemkinase dhe lejfenë të dalluar, ku bajgat e një kontroversialiteti kallp, i hapin stërkat edhe deri te ju, o pelegrinë të Partisë së Namuzit!;

Së gjashti, reagimi ndaj gishtave të Belos ngjan me tërbimin që kishit kur Bashkia drejtohej nga Basha dhe vendoseshin ato shitoret e drunjta në Pedonale. Nuk kishte digë t’ju ndalte në urrejtjen elitiste për qoftet, birrat dhe argëtimin e ‘vegjëlisë’. Kur erdh’ Veliaj, dhe e mbush sa herë don sheshin Skënderbej- sa 120 pedonale bashkë- me tollovi, tallava e ça-ke-me-ta, e squllni sqepin dhe bini squk;

Së shtati, po më kujtohet itash një shprehje e BHL që thotë: Amerika është vend i madh sepse atje, askush nuk e ka të drejtën që të mos ofendohet…

(këtë të fundit e kam për neo-sovjetikët e Tiranës që bëjnë si proto-amerikanë të orëve më të para).