Vendosni fjalën kyçe....

APP: 25% e tenderave bëhen vetëm me 1 ofertë


Një pjesë e madhe e tenderave që zhvillojnë institucionet publike janë me konkurrencë të cunguar ose pa garë fare. Agjencia e Prokurimit Publik raportoi se vitin e kaluar 25 për qind e tenderave publikë u zhvilluan vetëm me një ofertë.

Sipas statistikave të APP, vitin e kaluar institucionet e shtetit zhvilluan 6494 procedura prokurimi në total. Nga këto, 1645 tendera patën vetëm një ofertë. “Rezulton se pёrqindja e procedurave tё realizuara me 1 ofertё pёr vitin 2022 ka qenё nё nivelin 25%,” raporton APP në analizën e saj vjetore.

APP nuk raporton se sa ishte fondi total i prokuruar përmes tenderave me një ofertë të vemte. Por të dhënat krahasuese tregojnë se përqindja e tenderave me një ofertë është rritur krahasuar me një vit më parë, pasi në 2021 pesha e tenderave me ofertë të vetme ishte 23 për qind.

Mungesa e garës në procedurat e prokurimit të parasë publike mbetet një nga kanalet kryesore të korrupsionit në Shqipëri. Sa me pak gare ne tendera aq me shume rriten cmimet qe paguajne qytetaret per mallrat apo sherbimet qe prokuron qeveria. Sipas APP, vitin e kaluar në procedurat e prokurimit u regjistruan mesatarisht 2.5 oferta për tender. Kjo shifër është ndër më të ulëtat në rajon, por edhe mesatarja 2.5 oferta për tender nuk e paraqet plotësisht realitetin e mungesës së konkurrencës.

Një pjesë e madhe e ofertave që paraqiten në tendera publikë janë teknikisht të papërshtatshme për shkak se nuk plotësojnë dokumentacionin e kërkuar ose nuk dorëzojnë fare ofertë ekonomike. Edhe pse ato regjistrohen si numër ofertash, praktikisht janë të pavlefshme.

Nëse përjashtohet ky grup nga statistikat, atëherë rezulton se mesatarja e ofertave serioze për çdo tender që zhvillohet në Shqipëri është më pak edhe se 2 oferta për tender. Kjo do të thotë se miliarda lekë nga taksat e qytetarëve shpenzohen në procedura prokurimi me konkurrencë të cunguar ose pa garë fare.

Vitin e kaluar, Shqipëria prokuroi rreth 1.2 miliardë euro tendera publikë, nga të cilat mbi 220 milionë euro u dhanë në tendera të mbyllur, sidomos në procesin e rindërtimit, por edhe kontratat sekrete në fushën e mbrojtjes dhe atë të sektorit të IT.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Oligarkia.al