Kandidati i PD-së për Tiranën Roland Bejko, ka kërkuar që shteti të veprojë nëse në çështjen e diplomat të Belind Këlliçit ka shkelje.
I ftuar në emisionin e mëngjesit në Report Tv, ai tha se Këlliçi ka përgjegjësi morale nëse ka gënjyer ndërsa e quajti atë instrument në duart e Sali Berishës që është shpallur non grata nga SHBA-ja.
Ai e quajti fals e populist premtimin e Këlliçit për nënkalimin te Sheshi Skënderbej duke thënë se nuk i shërben qytetarëve.
“Nëse ka penalitet për çështjen e diplomimit, në kuptimin ligjor, natyrisht shteti duhet të veprojë. Nuk e di nëse është apo jo i diplomuar, se ka njerëz që s’janë të diplomuar por janë shumë të zotë. Por fakti i fshehjes, mos thënies së të vërtetës. Në aspektin moral ka përgjegjësi, mua do më vinte turp ta gënjeja, ta fshehja atë. Në aspektin politik, Belindi ka bërë zgjedhjen e gabuar, është bërë instrument në duart e non gratës që është refuzuar nga SHBA. Nuk i mjafton non grata, ka mbrapa edhe Ilir Metën, përfaqësues i majtë, ka një kosto shumë të lartë në opinion publik. Mesazhet që jep Belindi janë popullsitë të majta. Mesazhe të parealizueshme. Qoftë kjo edhe për tunelin nëntokësor, është i parealizueshëm. E dini pse? Është fals, nuk shërben për asgjë, aksi nga 15-katëshi deri në fundin e Bulevardin Zogu i Zi është aksi që s’ka fare trafik.” – tha Bejko.