Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka ka mbështetur kandidaturën e koalicionit Bashkë Fitojmë për Durrësin, Igli Cara.
Në një intervistë me ‘Panorama’, Duka tha se Cara ka peshë te qytetarët e Durrësit dhe se arriti të bashkojë të gjithë faktorët e opozitës në qytetin bregdetar.
“Siç mund ta keni ndjekur, unë bashkë me strukturat e Partisë Agrare Ambientaliste kemi mbështetur Igli Carën qysh në momentet e para të daljes së tij si kandidat, pra, shumë kohë përpara se sondazhet t’i jepnin atij atë peshë që unë di që ka tek elektorati i Durrësit. Tani që na ndajnë pak javë nga dita e zgjedhjeve, jemi edhe më të bindur për suksesin e Carës sepse me urtësi arriti të thurë një rrjet marrëdhëniesh me gjithë faktorët opozitarë të Durrësit, duke pasur parasysh klimën brenda opozitës, kjo është një vepër jo e vogël, tregues e një politikani që di të ndërtojë ura bashkëpunimi të dobishme për ta drejtuar Durrësin jashtë stanjacionit, në të cilin ndodhet. Ka personalitetin, pjekurinë dhe ndershmërinë që i duhen qytetit për të çelur një kapitull të ri pas 23 vitesh përqendrimi të pushtetit në fare pak duar.” – tha Duka.