Vendosni fjalën kyçe....

Kandidati komunist për Tiranën falënderon Nokën: Demokrat i vërtetë, më ndihmoi me kandidimin pasi PS-ja më pengoi


Kandidati i Partisë ‘Fronti i Majtë’ Komuniste për Tiranën në zgjedhjet e 14 majit Marko Dajti ka falënderuar Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së Flamur Noka për kandidimin e tij.

I ftuar në emisionin ‘Të Pakekspozuarit’ me gazetarin Ylli Rakipi në MCN Tv, Dajti tha se kishte njohje të vjetra me  Nokën dhe se ia kishte kërkuar personalisht ndihmën për të mundësuar kandidimin e tij.

“Flamuri është demokrat i vërtetë. E vlerësoj punën e tij. Unë kam lidhje miqësore me të. Partia Socialiste nuk lejonte asnjë të futej në garë, siç bëri në 2019 që i mori të gjithë bashkitë vetë. Flamuri bëri gjestin civil. Unë ia kërkova Flamurit, duke parë që Edi Rama nuk kishte lënë hapësirë që ne të kandidonim. Ia kërkova Flamurit dhe ai u tregua i gatshëm.” – tha Dajti

Ky i fundit bëri disa batuta me Rakipin lidhur me financimin e fushatës së tij si dhe me lidhjen e tij me demokratët.

“Ne nuk kemi ku ti gjejmë paratë, nuk na jep njeri. Askush nuk na jep. Edhe vetë shteti nuk më ka dhënë asgjë. Kam një historik, por nuk ka dhënë asgjë. Kur partia është futur në zgjedhje s’kam marrë as ato tre milionë lek, sepse do t’i kërkonin mbrapsht. Më solli njëri nga Vlora 100 litra raki për t’ia shpërndarë popullit. Nga një gotë raki ua japim patjetër.” – tha Dajti.