Vendosni fjalën kyçe....

MASHTRIM APO NGËRÇ- Si duhet kuptuar dëftesa (e munguar) e Belind Këlliçit


Ekziston një tymnajë në lidhje me çështjen e përfolur së fundmi të dëftesës së pjekurisë së Belind Këlliçit.

Palët akuzojnë njëra tjetrën në nivel politik dhe propagandistik, por çështja në fjalë është thelbësisht ligjore dhe teknike dhe si e tillë, prevalon një shpjegim teknik.

Hashtag.al ka kontaktuar tre ekspertë të sistemit arsimor, dy prej të cilëve kanë punuar më herët në sektorin e ekuivalentimit të diplomave në Ministrinë e Arsimit.

Deri më tani fabula e vërtetuar katërcipërisht është kjo:

Belind Këlliçi ka studiuar 4 vite në shkollën e mesme “Harry Fultz” në Tiranë në vitet 2001-2005.

Ai rezulton se ka kryer 4 vite në këtë shkollë të mesme dhe ka lënë pa mbaruar vitin e pestë sepse periudha studimore e gjimnazit në këtë shkollë ka qenë 5-vjeçare.

Pasi ka mbaruar vitin e katërt, shkolla i ka lëshuar atij një listë notash të certifikuar me vulë apostile. Këtë listë notash Këlliçi e ka paraqitur në SHBA në Universitetin “Coppin” të Baltimorës.

Ky universitet i përket sistemit amerikan të shkollimit dhe kualifikimit e si i tillë operon me një tjetër metodologji. Bota anglishtfolëse ka në bazë të shtetformimit të saj dhe funksionimit të institucioneve atë që quhet “common law”, ndërsa Shqipëria operon me “civil law”.

Ky ndryshim në taban dhe në karabinanë e sistemit, reflektohet dhe në arsim, pasi ndryshe nga Shqipëria, ku fjala vjen, ti nuk shkon dot në klasë të tretë nëse nuk ke përfunduar klasën e dytë (sistem linear), në SHBA sistemi të jep mundësi kapërcimi nëse ti vërteton në mënyrë tërthore dhe të qartë se i kalon pengesat (sistem rrethor).  

Në Shqipëri nuk funksionojnë metodat tërthore, garant i sistemit është procedura lineare. Çka do të thotë se nëse procedura lyp që ti të kesh një dëftesë të shkollës së mesme për të kaluar në universitet, ty të duhet kjo dëftesë me doemos, përndryshe nuk puq dot me universitetin dhe mungesa e dëftesës, automatikisht të skualifikon etapa e shkollës së mesme në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Universiteti Coppin operon me pranimin e studentëve të huaj, nëpërmjet sistemit që në gjuhën teknike njihet si SAT “student apostile transcipt”, ose e thënë në shqip, operon me një listë të vërtetuar noteriale notash.

Nëse ti vërteton se ke kryer një numër të caktuar lëndësh që universiteti i quan të domosdoshme dhe “nivel dysheme” pranimi, atëherë mund të regjistrohesh pa problem dhe të vazhdosh studimet e larta.

Në këtë pikë çdo aludim se Këlliçi ka mashtruar universitetin amerikan, apo se i vëllai i tij e ka favorizuar apo se shkolla Harry Fultz mund të ketë shkelur ligjin rrëzohet.

Shkolla Harry Fultz nuk detyron dot asnjë gjimnazist që të vazhdojë studimet deri në fund, kushdo mund të shkëputet në vitin e katërt dhe të shkojë në një universitet ndërkombëtar.

Gjithashtu pranimi nga universiteti Coppin në SHBA rezulton krejt i ligjshëm për sa kohë kriteret e pranimit me metodën SAT nga ky universitet përmbusheshin nga lista e dorëzuar e notave të Këlliçit.

Deri këtu Këlliçi është xixë, krejt në rregull dhe i pastër.

Problemi i tij fillon në momentin kur ai ka synuar që diplomën amerikane ta bëjë funksionale në strukturën institucionale shqiptare, pra ka dashur të shndërrojë rrethin në vijë, sistemin rrethor amerikan ta përshtasë në sistemin linear shqiptar.

Ka plot studentë që nga shkolla Harry Fultz kanë shkuar në universitete perëndimore me listë notash pa e vrarë shumë mendjen, pasi synimi i tyre në  pjesën dërrmuese nuk ka qenë rikthimi në Shqipëri, por karriera jashtë vendit. Karriera në korporata private më shumë se sa në sistemin institucional shtetëror shqiptar.

Për pasojë Këlliçi me diplomën e universitetit Coppin mund të punojë dhe në korporatën Apple po të dojë, ose në JP Morgan, ose dhe te Raiffeisen në Tiranë, nuk ka rëndësi fare për entet private kjo gjë.

Problemi nis kur ti pasi ke çeduar dhe ke lënë të  papërfunduar etapën e shkollës së mesme në institucion arsimor shqiptar, rikthehesh për të njehësuar diplomën ose për të punuar në institucion shtetëror shqiptar.

Këtu ka një problem.

Sepse siç e shpjeguam më lartë, sistemi “civil law” ose sistemi linear i funksionimit në Shqipëri, e ka kriter detyrues paisjen me dëftesë të shkollës së mesme.

Nëse nuk e ke këtë dëftesë, ti rezulton pa shkollë të mesme në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe i papranueshëm për sistemin e rekrutimit si pjesë e administratës shtetërore shqiptare.

Ekspertët arsimorë të kontaktuar nga Hashtag.al në këtë pikë evidentuan 2 probleme:

1) Ekuivalentimi i diplomës së shkollës së lartë të Këlliçit në Ministrinë e Arsimit në vitin 2010 në Tiranë ka gjasa të jetë bërë në shkelje të kriterit të dëftesës së shkollës së mesme. Ose Këlliçi ka bërë deklarim të rremë se e posedon këtë dëftesë, ose komisioni e ka favorizuar duke kryer ekuivalentimin në shkelje të ligjit dhe në mungesë së dëftesës.

2) Përllogaritja dhe njohja e masterit në Tiranë, ndërsa ai dyshohet se në SHBA ka kryer një kualifikim të thjeshtë Bachelor, mund të jetë një shkelje e dytë nga ana e komisionit në Ministrinë e Arsimit në vitin 2010.

Ekspertët thanë se për ta bërë më të qartë atë që ka ndodhur duhet parë me kujdes mënyra si kanë arsyetuar asokohe anëtarët e komisionit në Ministrinë e Arsimit dhe sidomos duhen parë raste të tjera të ngjashme, ku ish-gjimnazistë të Harry Fultz, janë paraqitur të ekuivalentojnë diplomën e shkollës amerikane në mungesë të dëftesës së shkollës së mesme.

“Nëse janë skualifikuar dhe u është mohuar konvertimi i diplomës rasteve të ngjashme me Këlliçin, kjo do të vinte në dyshim procesin dhe do të hapte automatikisht një hetim për favorizim korruptiv nga ana e ministrisë”, – tha në kushte anonimati një ish-drejtuese arsimore e kryeqytetit.

Sipas ekspertëve, mungesa e dëftesës së shkollës së mesme është automatikisht kriter i paplotësuar dhe për të sqaruar në mënyrë përfundimtare përplasjen mes sistemeve rrrethore amerikane dhe atyre lineare shqiptare, do të duhej fillimisht që ministria të refuzonte ekuivalentimin e diplomës së Këlliçit dhe më pas ky i fundit mund të kërkonte nëpërmjet një vendimi gjyqësor sqarimin e plotë të rrethanave dhe ta merrte të drejtën me një vendim gjyqësor, si një mënyrë që çlironte dhe Ministrinë e Arsimit nga ndonjë favorizim apo shkelje kriteri si dhe i jepte Këlliçit të drejtën e tij për tu kualifikuar në kushtet kur ai mund ta ketë gjetur veten si “viktimë” i diferencës thelbësore proceduriale ndërmjet sistemit në SHBA dhe atij në Shqipëri./ Hashtag.al