Vendosni fjalën kyçe....

“Nga njohja personale te angazhimi në politikë”-Belind Këlliçi dhe Anna Shkreli intervistë të përbashkët


Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Kelliçi dhe Anna Shkreli gjatë një bisede si të ftuar në emisionin e Rudina Magjistarit në TV Klan folën folur për raportin e tyre, momentet e bukura e të vështira, dhe interesat që të dy kanë.

Ata u ndalën edhe në njohjen e tyre, e cila ka ndodhur rreth 10 vite më parë në një bar në kryeqytet, por të dy e përcaktojnë ndryshe këtë moment.

“Unë quaj ditën e parë  që u prezantuam përmes miqve të përbashkët, Anna ishte studente në Itali në atë kohë e ndërkohë unë isha kthyer, isha me punët e mia, sa kisha filluar në njëfarë mënyre edhe jetën edhe karrierën time politike në Tiranë dhe unë quaj këtë njohje të parë. Kurse Anna quan momentin kur jemi ulur realisht dhe kemi patur një bisedë të  gjatë me njëri-tjetrin”-tha Këlliçi.

Anna Shkreli u shpreh se marrëdhënia me Belindin ka kaluar në provën e durimit, të pritjes, dhe është konsoliduar gjithnjë e më shumë.

“Historia ime me Belindin është një histori interesante sepse për mua është një histori që dëshmon faktin se sa e rëndësishme është që dikë edhe të dish ta presësh në njëfarë mënyre sepse unë  kam qenë në Itali, pastaj jam kthyer shumë shkurt në Shqipëri, pastaj kam ikur prapë në Angli ku edhe siç e rrëfente edhe inserti, pastaj kam kryer eksperiencat e mia master dhe eksperiencat e mia me radhë. Në njëfarë mënyre, kjo është një marrëdhënie njerëzore e cila nuk ka ecur përpara duke u nxituar për të arritur diku, kjo është shumë e rëndësishme, më kupton. Është një marrëdhënie që ka ditur të presë dhe ka ditur t’i përballojë edhe ditët e mira, edhe ditët e këqija”-tha Anna Shkreli.

Ishte pikërisht distanca për shkak të studimeve të saj në Itali, e më tej, masteri në Angli, një prej momenteve që provoi se sa e fortë dhe rezistente ishte ajo çka të dy kishin për njëri-tjetrin.

Anna dhe Belindi, e pranuan se ajo çfarë i mbante bashkë ishte e fuqishme, dhe ja ku janë sot, në një lidhje 10-vjeçare.

Duke u ndalur në angazhimin e Këlliçit në fushatën zgjedhore, si kandidat për Bashkinë e Tiranës, Anna u shpreh se ajo është shfaqur në krah të tij në këtë garë, për shkak se i beson çdo gjëje që ai e thotë, dhe asaj që bën.

Anna Shkreli u shpreh se një nga pikat që vlerëson më shumë tek programi i Belindit, është ajo për biznesin e vogël, ulja e taksave e tarifave, si një mundësi që këto sipërmarrje të mbijetojnë e të zhvillohen më tej.

Anna ka një shtëpi të vogël botuese dhe ka pasion trashëgiminë kulturore e historikun e qytetit.

Ajo theksoi se nëse çdo gjë ndryshon e asgjë nuk ruhet, atëherë cënohet përkatësia jonë, ajo çfarë na mban të lidhur me një qytet e me një vend.

Belind Këlliçi u shpreh se ai ka një program me 5 pika që adresojnë problemet kryesore të qytetit dhe që ofrojnë zgjidhje për zbutjen e kostos së reëduar të jetesës apo trafikut torturues.

Ai tha se është një njeri normal, një nga djemtë e qytetit, që e do Tiranën dhe dëshiron e është i përkushtuar ta shohë të zhvilluar.

Në intervistën e përbashkët me  partneren e tij, Anna Shkrelin, Belind Këlliçi ndau detaje nga fëmijëria. Shkurtimi i emrit të tij vijon ta shoqërojë edhe sot duke qenë kështu një pjesë e rëndësishme e identitetit të Këlliçit. Shpjegimi pas kësaj është fare i thjeshtë, ndonëse ka qenë një prej detajeve që ka tërhequr vëmendje gjatë fushatës së tij.

Belo është një emërtesë të cilën ia kanë vënë qëkur ka qenë i vogël. Është shkurtimi Belind-Belo”-pohoi Anna.

Të them të drejtën , ma kanë vënë çunat e lagjes me ta thënë troç, që të jemi të vërtetë. Ma kanë vënë çunat e lagjes”-pranoi Belindi.