Vendosni fjalën kyçe....

Snajper, pushkë e armë gjahu, kapet në Shkodër arsenali i armëve, në kërkim 43-vjeçari


Një arsenal armësh është zbuluar në një operacion policor në Shkodër.

Gjatë kontrolli në banesën e 43-vjeçarit me iniciale A.I. në fshatin Mali i Jushit, policia gjeti 1 snajper, 1 pushkë, 1 pistoletë, 1 armë gjahu, 2 armë sportive, dybli e municion luftarak.

Sipas bluve dyshohet se personi në fjalë do i shiste armët te persona me precedent kriminal. A.I. është shpallur në kërkim ndërsa e ëma është proceduar në gjendje të lirë.

Njoftimi

“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shodër, pas sigurimit të informacionit se një shtetas që banonte në fshatin Mali i Jushit, në Bushat, Shkodër, posedonte një arsenal armësh dhe dyshohej se po përgatitej për t’i shitur ato te shtetas me precedent kriminal, të cilët dyshohet se do t’i përdornin armët për të kryer krime ndaj personit dhe pronës, menjëherë kanë organizuar punën në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Vaut të Dejës dhe në kuadër të operacionit “Guns”, kanë ndërhyrë në banesën e 43-vjeçarit A. I.

Gjatë kontrollit në këtë banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një arsenal armësh, konkretisht:

1 snajper, 1 pushkë, 1 pistoletë, 1 armë gjahu, 2 armë sportive, 1 palë dylbi dhe municion luftarak për të gjitha llojet e armëve të gjetura në banesë.

Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, shtetasi A. I. nuk është gjetur në banesë, ndaj është shpallur në kërkim. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u procedua penalisht në gjendje të lirë nëna e shtetasit A. I., shtetasja L. I., 73 vjeçe.

Strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Ndërkohë vijon puna për kapjen e poseduesit të arsenalit të armëve, shtetasit A. I.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, kryer në bashkëpunim.”