Vendosni fjalën kyçe....

Urdhri i Psikologut reagon kundër Belind Këlliçit: Postera me mesazhe fyese mund të bëhen modele për fëmijët


Urdhri i Psikologut në Republikën e Shqipërisë e ka quajtur posterin e fushatës të Belind Këlliçit me dy gishtat e mesit lart me përmbajtje mesazhi fyes dhe denigrues që nuk janë etike.

Sipas urdhrit këto mesazhe që përcillen për të rriturit mund të mbërrijnë edhe te fëmijët dhe me dashje ose pa dashje bëhen modele që ndiqen edhe nga fëmijë.

Në fund Urdhri jep edhe një mesazh nuk mund të ndërtohen vlera mbi antivlera.

“Duke marrë shkas nga një poster i vendosur sot në rrugët kryesore të kryeqytetit, si pjesë e fushatës politike për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, Urdhri i Psikologut bën me dije: Mesazhe fyese, denigruese dhe me përmbajtje bullizuese, jo vetëm që nuk janë etike, por mbi të gjitha bëhen në mënyrë të drejtpërdrejtë shembull i reagimeve të papërmbajtura, bullizuese dhe fyese në popullatë.

Mesazhet që përcillen, nuk kanë target vetëm njerëzit e rritur, që arrijnë t’i seleksionojnë, por edhe fëmijët, për të cilët bëheni, me dashje ose pa dashje, modele që duan të ndjekin.

Lutemi mbani në konsideratë në çdo mesazh që përcillet në rrugët kryesore të qytetit, si dhe në televizionet publike, apo kudo tjetër, se informacioni që përçohet duhet të jetë etik.

Pas gjithë fushatave që ndërmerren nga shoqëria civile, media, shkolla etj., kundër mesazheve bullizuese, është e paparanueshme që të promovojmë mesazhe të tilla në billborder-at e kryeqytetit. Nuk mund të kërkojmë të ndërtojmë vlera mbi antivIera”- thuhet në reagimin e Urdhrit të Psikologut.

Pëpos Urdhrit kundër posterit reaguan edhe Xhamitë e Tiranës të cilat e konsideruan të papranueshëm ekspozimin në vende ku kalojnë edhe fëmijë.