Vendosni fjalën kyçe....

“Sharlatanë që shtrembërojnë historinë” – Turqia kritikon vërejtjet e SHBA-së për ngjarjet e 1915-ës


Turqia ka kritikuar vërejtjet e presidentit amerikan Joe Biden për ngjarjet e vitit 1915 midis Turqisë dhe Armenisë.

“Edhe një tjetër përpjekje e sharlatanëve politikë për të shtrembëruar historinë! Deklaratat e drejtuara politikisht nuk mund t’i ndryshojnë faktet. Ata që këmbëngulin qëllimisht në gabimet e tyre janë të destinuar të mbahen mend si hipokritë. Askush nuk do të guxojë të na mbajë leksione për historinë tonë,” shkroi ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu në Twitter të hënën.

Më vete, Ministria e Jashtme turke hodhi poshtë deklaratat e bëra nga zyrtarë qeveritarë të disa vendeve, duke thënë se Ankaraja i konsideron ato ‘të pavlefshme’ dhe dënoi me termat më të ashpër ata ‘që këmbëngulin në këtë gabim’.

“Deklaratat fatkeqe që janë të papajtueshme me faktet historike dhe të drejtën ndërkombëtare në lidhje me ngjarjet e 1915 janë përpjekje të kota që synojnë rishkrimin e historisë për motive politike,” tha ministria në një deklaratë, duke shtuar se Turqia nuk ka nevojë të mësojë për historinë e saj nga kushdo, shkruan TRT.

Ajo shtoi se ‘ngjarjet e 1915 nuk mund të përcaktohen sipas agjendave personale të politikanëve dhe konsideratave të tyre politike të brendshme’.

Qëndrimi i Turqisë për ngjarjet e vitit 1915 është se vdekja e armenëve në Anadollin lindor ndodhi kur disa morën anën e pushtuesve rus dhe u revoltuan kundër forcave osmane. Një zhvendosje e mëvonshme e armenëve rezultoi në viktima të shumta.

Turqia kundërshton paraqitjen e incidenteve si ‘gjenocid’, duke i përshkruar ato si një tragjedi në të cilën të dyja palët pësuan viktima.

Ankaraja ka propozuar vazhdimisht krijimin e një komisioni të përbashkët historianësh nga Turqia dhe Armenia, si dhe ekspertë ndërkombëtarë për të trajtuar këtë çështje.