Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e Ardian Nikulajt, policia shpall në kërkim shtetasin portugez, dyshohen pesë persona të përfshirë në ngjarje


Një shtetas portugez është shpallur në kërkim si autori i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin.

Sipas Shqiptarja.com, Prokuroria e Lezhës me miratimin e gjykatës ka lëshuar një urdhër ndalimi për portugezin i cili është larguar nga Shqipëria disa ditë pas ngjarjes.

Portugezi dyshohet të ketë bashkëpunuar me disa persona të tjerë për ekzekutimin e Nikulajt. Falë veprimeve hetimore të kryera gjatë një jave, policia ka dokumentuar përfshirjen e katër të tjerë personave në këtë krim të rëndë që tronditi Shëngjinin në 19 prill.

Burime bëjnë me dije se përveç portugezit janë lëshuar urdhra ndalimi edhe për personat e tjerë të përfshirë.

Në kuadër të detajeve të reja të mësuara, motori i përdorur nga autori i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin është furnizuar në një pikë karburanti në superstradën Lezhë-Shkoder. Kjo është zbuluar pas kqyrjes së kamerave të sigurisë dhe policia ka shoqëruar pyetur punonjësin e karburantit i cili ka komunikuar me drejtuesin e motorit.

Ai ka qenë i kamufluar me të njëtat rroba dhe ka folur në gjuhë të huaj në momentin kur ka kërkuar për të furnizuar mjetin dhe më pas është larguar.

Motometi dyshohet të jetë blerë nga një vajzë në qytetin e Shkodrës, por për shkak të sekretit hetimor nuk jepen detaje. Diçka e tillë pritet të ndihmojë hetuesit për të shkuar në gjurmët e autorit. Policia është rikthyer sërish në zonën e Gjadrit dhe Kakarriqit, duke bërë kontrolle në disa banesa në kërkim të gjurmeve të autorit. Kryesisht kontrollet janë përqendruar në banesat e disa personave të cilët kanë lidhje me fisin Lekstakaj.

Ndërkohë gjatë kontrolleve të bëra nga policia ditën e sotme, në një banesë të braktisur mësohet se janë gjetur rrobat të cilat dyshohet se janë të njëjtat që autori ka përdorur ditën e vrasjes. Rrobat e gjetura janë dërguar në laborator për ekzaminim të mëtejshëm.