Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se merrte 10 mijë euro ryshfet nga një call center, nisin hetimet për shefin e sektorit të krimit ekonomik të Tiranës


Prokuroria e Tiranës ka nisur zyrtarisht hetimet për një drejtues të lartë të Policisë së Tiranës. Bëhet fjalë për Erion Ismailin, i cili mban aktualisht pozicionin e shefit të sektori të krimit ekonomik në Policinë e Tiranës.

Dosja, e cila është nën hetim nga prokurorja e Tiranës, Suela Salavaci ka të bëjë me një denoncim ku thuhet se Ismaili ka marrë ryshfet 10 mijë euro çdo muaj për të lejuar një call center të kryente lirisht veprimtarinë mashtruese me bursat ndaj qytetarëve europiane. Dyshohet se shefi i krimit ekonomik Erion Ismaili merrte këtë shumë çdo muaj nga subjekti që ndodhej në rrugën e Kosovarëve në Tiranë.

Policia ka ushtruar kontrolle në këtë Call Center ku sekuestroi disa kompjutera dhe pajisje të tjera. Gjatë këtij operacioni që u zhvillua në datën 15 prill, u arrestuan Eduart Spasari, Fatmir Qershori dhe Mariglen Karaj, ky i fundit zyrtar i lartë në UKT.

Në momentin që policia i ka shkuar subjektit për kontroll, ata kanë kontaktuar me Karajn. Ky i fundit me mesazhe i ka dërguar administratorëve të call centerit dhe është shprehur se i ka dhënë 10 mijë euroshin Erion Ismailit me qellim që ky biznes te mos prekej.

Erion Ismaili është marrë në pyetje nga kolegët e tij, ku ka mohuar akuzat dhe mesazhet. Ndërkohë Karaj përpara hetuesve nuk ka pranuar të fliste, madje pas arrestimit mesohet se ka shfaqur probleme me zemrën dhe është dërguar në spital.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Shqiptarja.com