Vendosni fjalën kyçe....

Gjiknuri dhe Llatja takim me banorët e Katundit të Ri: Zhvillimit të Elbasanit i duhet binomi qeveri- bashki për të vazhduar projektet e mëdha


Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja zhvilluan një  bashkëbisedim me banorët e Katundit të Ri në njësinë Bradashesh, ku prezantuan projektet për 4 vitet e ardhshme të zhvillimit të Elbasanit.

Gjiknuri, që është njëherësh dhe drejtues politik, u shpreh se vota për Gledin dhe PS më 14 maj, është nyje lidhëse mes interesave të përbashkëta.

“Kur votoni për Gledin dhe Partinë Socialiste dhe këshilltarët e Partisë Socialiste keni votuar për një ekip, qoftë për Gledin, për Damianin dhe për të gjithë që këtë mos ta lëmë vetëm, por të jemi një nyje lidhëse mes interesave tuaja dhe interesit të institucioneve shtetërore me të cilat ju keni të bëni. Na jepni të drejtën morale për t’i çuar gjërat deri në fund. Ky është angazhimi im publik dhe unë këtë e dua me votën tuaj për Gledin dhe Partinë Socialiste”, tha ai.

Gjiknuri vijoi se zhvillimit të Elbasanit i duhet binomi i komunikimit bashki – qeveri që të funksionojnë gjërat dhe projektet e mëdha.

“Sa herë e ka marrë partia opozitare e ka kthyer bashkinë e Elbasanit në një bunker politik, ndërprerje komunikimi. Vetëm zbatim i qendrës, i dyshes Berisha – Meta, martesë e re zakone të vjetra. Këtu vihet në rrezik zhvillimi i Elbasanit.  Elbasanit i duhet binomi i komunikimit bashki – qeveri që të funksionojnë gjërat, të ecin të gjithë gjërat e mëdha. Edhe ne pastaj të kemi ndihmë edhe për shumë gjëra të tjera. Prandaj them që vota në 14 maj ‘çimenton’ edhe këtë lloj binomi qeveri – bashki për të vazhduar projektet e mëdha që janë projekte të rëndësishme për Elbasanin, “By Passi”, rehabilitimi i lagjes Kala për ti kthyer identitetin qytetit, qoftë edhe shëtitorja, Auto Motoparku, të gjitha këto po sjellin zhvillim.  Për ujësjellësin e ri me kanalizime janë 15 milion euro që do investohen. Të gjitha këto janë projekte të qeverisë shqiptare”, deklaroi Gjiknuri.

Kryebashkiaku Gledian Llatja renditi disa prej projekteve të rëndësishme që po bëhen në bashkëpunim edhe me qeverinë, si për zhvillimin e infrastrukturës dhe zhvillimin ekonomik, ashtu dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës.

“Kemi marrë edhe premtimin e kryeministrit  për by- pass e Elbasanit, ta spostojmë rrugën komplet këtu dhe ta kalojmë matanë Shkumbinit, atje ku e ka vendin normalisht, dhe kjo këtu të kthehet siç ka qenë një rrugë e jona e brendshme. Po bëjmë edhe ndriçimin ashtu siç e kemi nisur, ta mbyllim të gjithë aksin, të bëjmë edhe trotuarin. Kemi qenë gjatë të gjithë kohës në kontakt për të bërë punë të mira, për të zgjidhur problematikat tona infrastrukturore, por edhe për të krijuar bashkërisht vizionin për zhvillimin e Elbasanit dhe sidomos për zhvillimin e zonës industriale. Ne kemi nisur sot Murin e Gjelbër, dhe është i disati vit në fakt që ne  vazhdojmë mbjelljet në të gjithë zonën tonë industriale, por edhe ku ka sipërfaqe të lira buzë lumit Shkumbin, pikërisht për të shtuar sipërfaqet e gjelbra. Nga krahu tjetër vazhdojmë edhe me presionet, me kërkesat e vazhdueshme  ndaj institucioneve shtetërore, por edhe kompanive private për të vazhduar me përmirësimin e sistemeve të tyre të filtrimit të zonës industriale. Nga ana tjetër kemi pasur dhe kemi një zhvillim konstant në zonën industriale edhe përsa i përket edhe bizneseve të reja dhe kryesisht atyre të cilët nuk ndotin”, tha Llatja.

Kreu i Bashkisë së Elbasanit u shpreh se kjo zonë do të kthehet në një nga destinacionet turistike.

Ne e kemi bërë Elbasanin pjesë të 100 qyteteve të BE -së për uljen e ndotjes së mjedisit, por edhe për qytetet e zgjuara Smart Sity, është një nga projektet, misionet më të mëdha që ka BE, dhe është një projekt i cili vazhdon deri në 2030.  Shumë shpejt, brenda këtij mandati ne do të fillojmë dhe rikonstruksionin dhe ta bëjmë Ad Cuintum që kemi në Bradashesh, një nga destinacionet kryesore turistike të Via Egnatia,dhe gjithashtu t’i japim edhe vlerën e vet Manastirit të Shijonit dhe ta kthejmë atë në ditën që ka në qershor në një atraksion, në një festë të madhe për t’i dhënë një mundësi më të mirë zhvillimit ekonomik të gjithë Bradasheshit”, u shpreh Llatja.