Vendosni fjalën kyçe....

Pse gënjen Sali Berisha për Ilir Rusmalin? Një histori e vjetër shantazhi dhe një histori e re për humbjen e zgjedhjeve


Sali Berisha është kapur duke gënjyer publikisht të hënën, gjatë një interviste në Panorama TV, kur vendosi nën sulm ish-zëvendëskryeministrin e tij Ilir Rusmali, aktualisht anëtar i KAS, (Këshilli i Ankesave dhe Sanksioneve), që vendos për ankesat e subjekteve zgjedhore. Nuk është hera e parë që, për interesa politike të momentit, Sali Berisha, shtrembëron faktet e së kaluarës, thotë gjysmë të vërteta apo mashtrime të forta, siç ndodhi në rastin “Rusmali”.

Gënjeshtra nr.1 

Berisha tha se “Ilir Rusmali u largua për korrupsion nga detyra e zëvendëskryeministrit, pasi shkeli në mënyrë flagrante dhe korruptive ligjin”. Por Berisha gënjen. Kur Ilir Rusmali u largua nga qeveria Berisha, në nëntor 2007, nuk ishte më zëvendëskryeministër. Prej disa muajsh ushtronte detyrën e Ministrit  të Drejtësisë.

Të gjithë e dimë se Berisha s’mund të lajthisë tek ky detaj i rëndësishëm i postit të Ilir Rusmalit, i cili si zëvendëskryeministër kishte kundërshtuar procedurën e propozuar për fabrikën e Gërdecit. Por këtë e analizojmë pak më vonë.

Çfarë bie sot në sy nga deklarata është se Sali Berisha nuk i vlerëson njerëzit apo rrethanat njësoj në kohë të ndryshme, por shtrembëron të vërtetën, kur i duhet e shtrembër, në mënyrë që të denigrojë këdo që nuk i bindet apo nuk vepron sipas interesave të tij politike.

Ja çfarë ka thënë kryeministri Sali Berisha të nesërmen e dorëheqjes së Ilir Rusmalit, duke prezantuar Ministrin e ri të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.

E pranova dorëheqjen e zotit Rusmali me bindjen time më të thellë se ai nuk ka pasur asnjë lidhje, përveç lidhjes së gjakut, me përpjekjen e të vëllait për të përfituar në tendera. Unë e pranova dorëheqjen e zotit Rusmali, sepse nuk mund të refuzoj standardin e ri që bashkëpunëtori im vuri për politikën dhe zyrtarin shqiptar” (kliko këtu)

Gënjeshtra nr.2 

Çfarë ndodhi në nëntor 2007, kur Ilir Rusmali dha dorëheqjen nga posti i Ministrit të Drejtësisë?

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve të asaj kohe, Saimir Shehri, publikoi një regjistrim të vëllait të Ilir Rusmalit, i cili i kërkonte Drejtorit të Policisë së Burgjeve, që të shihte me prioritet në tender një kompani pjesëmarrëse, që plotësonte të gjitha kriteret dhe nëse dilte njësoj me pikë me ndonjë kompani tjetër, të favorizonte këtë.

Çfarë thotë Sali Berisha sot, 16 vite më pas?

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, një njeri i ndershëm, hap tender. I shkon vëllai i Ilir Rusmalit dhe e kërcënon me vëllanë zëvendëskryeministër. Ç’bëri Iliri? Iliri shkarkoi drejtorin, në kundërshtim me ligjin. Ilir Rusmali, jashtë kontrollit të vetes, e mori e shkarkoi, në një kohë kur ai ishte kompetencë e kryeministrit”.

Në kaq pak fjali janë thënë disa gënjeshtra. Që Rusmali nuk ishte zëvendëskryeministër kur dha dorëheqjen, kjo është një e vërtetë publike, e verifikueshme, të cilën e shpjeguam më lart. Berisha gënjen sërish, kur thotë se Saimir Shehrin e shkarkoi Rusmali në inat e sipër, duke i marrë kompetencën kryeministrit. Saimir Shehri, ish Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dha dorëheqjen në 13 nëntor në një konferencë për shtyp, duke deklaruar se “nuk punonte dot me një ministër të korruptuar”. (kliko këtu

Këto janë gënjeshtra flagrante të Sali Berishës për fakte publike që gjenden kudo në internet. Por le të flasim për faktet më pak publike ose aspak publike të rastit në fjalë. Patjetër që dorëheqja duhet të ketë qenë e detyruar nga kryeministri Berisha, i cili ishte vënë në dijeni të ekzistencës së përgjimit.

Njerëzit që kanë patur pushtet në atë kohë, e dinë shumë mirë që përgjimi i vëllait të Ilir Rusmalit është bërë në kohën kur ai ishte akoma zëvendëskryeministër. Edhe kjo mund të verifikohet përmes dokumentave të tenderit. Ajo që nuk tregon Berisha është se ai ka qenë me herët në dijeni të “operacionit të përgjimit”. Prandaj, Berisha mbrojti Saimir Shehrin deri në fund, megjithëse Ministri i Drejtësisë i kishte kërkuar 2 herë shkarkimin e tij nga detyra. 

Gënjeshtra nr. 3

Kur Ilir Rusmali dha dorëheqjen nga posti i Ministrit të Drejtësisë, të gjithë e vlerësuan xhestin si model të sjelljes së një politikani, që kërkon të zbardhet e vërteta e akuzave pa asnjë mburojë qeveritare.

Por si gënjeu Berisha të hënën gjatë intervistës? “Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, një njeri i ndershëm, hap tender. I shkon vëllai i Ilir Rusmalit dhe e kërcënon me vëllain zëvendëskryeministër. “. – thotë Sali Berisha në intervistë.

Siç tregohet në përgjimin e publikuar, vëllai i Ilir Rusmalit, nuk përmend asnjë moment të vëllain me pushtet.

Në bisedën me drejtorin kuptohet madje një pakënaqësi e të vëllait të Rusmalit, kur shprehet se “ikën 2 vjet dhe nuk po arrijmë të punojmë”.  Për të qenë sa më korrektë, publikimi më poshtë është zbardhje nga portali afër zotit Berisha.

(kliko këtu

Pra, është shumë e qartë, se në asnjë fjali nga kaseta e shpërndarë atë kohë dhe të rihedhur sot, kur çështjet janë të pafavorshme për Berishën në KAS, nuk ka as shprehje kërcënuese, as insinuata presioni, as përdorim të emrit të Ilir Rusmalit.

Pse gënjen Berisha?

Koha kur kishte nisur tenderi i përfolur, përkon me kohën kur po zhvilloheshin  korrespondancat për ngritjen e fabrikës së demontimit në Gërdec. Ilir Rusmali po kundërshtonte me argumente ligjore procedurat e propozuara për ngritjen e atij biznesi, që rezultoi një biznes vdekje.

Dalja në media e zbardhjes së mbledhjes së qeverisë në shkurt 2007, kur Rusmali ishte akoma zëvendëskryeministër, ka provuar këtë refuzim të Rusmalit për të legalizuar me vendim të Këshillit të Ministrave biznesin në Gërdec. Është e paqartë, nëse Berisha ishte në dijeni mënjëherë për përgjimin e vëllait të zëvendëskryeministrit, por e sigurtë është që kaseta më vonë është përdorur ndaj Rusmalit si shantazh nga vartësit e tij në Ministrinë e Drejtësisë, njerëz të Berishës dhe që u shkarkuan nga Ilir Rusmali si sinjal se refuzonte çdo shantazh nga kushdo. Ka një moment që nuk është bërë kurrë publik nga kjo histori përgjimesh, shantazhesh dhe intrigash në majat më te larta të qeverisë Berisha.

Hashtag.al ka mësuar se 4 ditë përpara publikimit, kasetën e knë dëgjuar tre ish-bashkëpunëtorë të Sali Berishës: Ridvan Bode, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi, që të tre miq të Rusmalit, në atë kohë. Kaseta u dëgjua prej tyre në zyrën e Sali Berishës, duke konfirmuar edhe njëherë herë se akuzat e Saimir Shehrit (atij që sot Berisha e mbron si njeri të ndershëm) ndaj Ilir Rusmalit ishin të orkestruara dhe të përgatitura me dijeninë e kryeministrit. Faktet publike dhe jopublike provojnë se historia e dorëheqjes së Ilir Rusmalit është e dokumentuar. Shumë detaje e lidhin atë me qëndrimin refuzues ndaj ngritjes me VKM të fabrikës në Gërdeci.

Gënjeshtrat e Berishës në fakt ndihmuan për të hedhur një  dritë të re mbi këtë histori të vjetër dhe të japin një provë shtesë për përfshirjen e  Berishës në dorë të parë në largimin e detyruar të Rusmalit nga qeveria.

Mesa duket, përveç shprehjes “Jam Sali Berisha unë, o budallenj” liderit të Foltores nuk i ka mbetur shumë për të thënë veç gënjeshtrave. Halli që ka Berisha për t’i thënë këto gënjeshtra në adresa të Ilir Rusmalit e bën të qartë edhe lëvizjen e tij të ardhshme. Berisha e ka gjetur edhe fajtorin për humbjen e tij. Ai quhet Ilir Rusmali./Hashtag.al