Kryeministri Edi Rama ka thumbuar sot kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Elbasanin, Luçiano Boçin, në lidhje me disa kontrata konsulenece të zbuluara së fundi nga Hashtag.al (Kliko Këtu)
Gjatë një takimi me gra dhe vajza në Elbasan, Rama përmendi marrëveshjen e firmosur nga Boçi me një investitor konsulent.
Ai e cilësoi këtë marrëveshje një gënjeshtër, ndërsa e krahasoi kandidatin e opozitës me ish-kreun e PD-së, Lulzim Basha.
Kreu i qeverisë tha se Boçi është një “Luluç”, ndërsa deklaroi se Basha ishte më serioz dhe më i vërtetë se kandidati për Elbasanin.
“Përballë kemi tre persona. Dy janë në Tiranë. Njëri nga ata të dy nuk mund ta shënojë emrin në fletë të votimit sepse është non-grata. Tjetri nga ata të dy e njihni mirë se e njohim mirë, i kemi bërë të gjitha ta sjellim në rrugë të mbarë po nuk i ndahet rrugës mbrapsht dhe nuk ka lidhje fare me shkuarjen përpara. I treti është këtu në Elbasan.
Më besoni që unë mendoja që Basha ishte kulmi i artistit që të rre (gënjen) edhe kur e pyet sa ishte ora, por Luli është shumë më i vërtetë dhe më serioz se sa “Luluçi” që keni ju këtu. Unë nuk besoj se në historinë e zgjedhjeve ka pasur ndonjë kandidat që e ka nisur me një skenë filmi. Kandidati, bashkë me një investitor konsulent që do sillte 400 milion euro këtu në Elbasan dhe një konsulent dalin përpara popullit edhe firmosin marrëveshjen dhe aty thuhet kryetari i ri i Bashkisë, një post që nuk ekziston, se ose je kryetar i bashkisë ose një artist i ri që ke dalë në skenë për t’u tallur me popullin tënd.
Më e bukura është se asnjëri nuk është kryetari dhe as tjetri nuk është konsulenti, të dy gënjejnë. Është artist më heq mallin e Lulit, hapi i dyti është Elbasani është një qendër xhirimi, do të bëjmë për të xhiruar skena filmi, do ta bëjë Elbasanin Kinostudio”, deklaroi Rama.