Kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi prezantoi në “Çim Peka Live” projektin “TI Tirana”.
Duke e cilësuar si aplikacion që do t’ju vijë në ndihmë qytetarëve, me informacione të bollshme dhe në shumë drejtime, Këlliçi tha se cilido shërbim do të jetë funksional, dhe në telefonin e çdo përdoruesi.
Që nga orari i mbërritjes së autobuzit, hapësirat boshe në parkingje, apo edhe rreth eventeve që ndodhin në qytet. Si dhe të dhënat e duhura për turistët e vizitorët.
Ky aplikacion, tha Këlliçi synon të lehtësojë dhe parkimin.
“Me këtë program do të kesh në kohë reale vendet e parkimit të lira. T’i futesh në hartë dhe harta tregon vendet e lira dhe ti e rezervon. Ti klikon që në momentin e parë dhe ai rezervohet automatikisht. Do të ketë sensorë. Përveçse kursen kohë të jashtëzakonshme me gjetjen e vendit të parkimit, të gjithë pronarët që kanë parkime private të vetat, gjatë periudhës që nuk janë makinat e tyre në parkimet nëntokësore mund t’i lëshojnë me një tarifë fikse p.sh 1 mijë lekë ora. Dhe dikush shkon e parkon përmes këtij aplikacioni. Ekonomizon edhe pronarët e vendeve të parkimit“, tha ai.
Për autobusët me këtë program do të ketë GPS në urban, për të parë në kohë reale sa larg është autobusi, tha Këlliçi, duke shtuar se do të ketë stacione të karikimit të telefonave dhe gjithashtu shërbimin wifi në të gjithë autobusët.
Këlliçi tha gjithashtu se do të ketë wifi pa pagesë në pikat kyçe të kryeqytetit.
Risi do të jenë edhe koshat e mbeturinave të cilët sipas projektit “TI Tirana” do të sinjalizojnë kur mbushen me plehra dhe duhen pastruar.
Për zgjidhjen e trafikut, krahas autobusit falas dhe ndërhyrjes në sheshin “Skënderbej” me tunele, masa e tretë tha Belind Këlliçi do të jetë semafori inteligjent.
“Semaforët e llogaritin vetë në varësi të trafikut sa kohë do të rrijë i lirë dhe i bllokuar. Pra, që të mos hapet një semafor 90 sekonda për dy makina në rresht dhe të hapet 10 sekonda për 1 km makina”, tha Këlliçi.