Vendosni fjalën kyçe....

Kërcënimi kibernetik i hakerëve kinezë ‘i paparë ndonjëherë’ – Drejtori i FBI-së


Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, pohoi se hakerët kinezë tejkalojnë agjentët e sigurisë kibernetike amerikane me të paktën ‘50 me 1’, duke thënë se Pekini përdor një program kibernetik më të madh se të gjitha fuqitë e tjera botërore së bashku.

Duke iu drejtuar ligjvënësve gjatë një seance dëgjimore në Kongres, Wray përshkroi përpjekjet e fundit të byrosë për sigurinë kibernetike dhe nevojat e saj për financim, duke deklaruar se hakerat janë në gjendje të shkaktojnë ‘dëm më të madh se kurrë më parë’, duke vënë theks të veçantë në ‘kërcënimin e Kinës’.

“Shkalla e kërcënimit kibernetik kinez është e pashembullt. Ata kanë një program hakerimi më të madh se çdo komb tjetër i madh së bashku dhe kanë vjedhur më shumë nga të dhënat tona personale dhe të korporatave sesa të gjitha kombet e tjera, të mëdha apo të vogla, të kombinuara,” tha ai, duke shtuar se Uashingtoni po përpiqet të përballet me Pekinin në fushën kibernetike.

Kreu i byrosë vazhdoi të paralajmëronte për sulmet kibernetike të kryera nga shtete të tjera të huaja, duke përfshirë Rusinë, Iranin dhe Korenë e Veriut, por tha se Kina përbën rrezikun më të madh për privatësinë dhe sigurinë e SHBA-së, duke vënë në dukje ‘strategjinë e saj të shumëfishtë’ për të tejkaluar SHBA-në si ‘superfuqia globale’.

FBI ka kërkuar fonde për të krijuar rreth 200 pozicione shtesë kibernetike në byro për të adresuar kërcënimin e supozuar nga Kina, duke kërkuar pak më shumë se 63 milionë dollarë, përveç buxhetit prej 10.8 miliardë dollarësh të propozuar tashmë për vitin fiskal 2023.

Zyrtarët kinezë kanë mohuar akuzat e SHBA për hakerim dhe vjedhje të të dhënave, dhe në vend të kësaj kanë ngritur akuza të ngjashme ndaj Uashingtonit.