Legjenda e futbollit brazilian Pele është shtuar pas vdekjes në botimin e fundit të fjalorit në gjuhën portugeze ‘Michaelis’. Pele, thuhet në hyrje, është një mbiemër që përshkruan dikë ose diçka ‘epërsia e të cilit nuk mund të barazohet’.
Shtesa u njoftua të mërkurën nga Fondacioni Pele, i cili kishte udhëhequr një fushatë për të ruajtur emrin e ikonës sportive në fjalorin më të njohur të Brazilit. Në më pak se një muaj, një peticion i shpërndarë nga fondacioni mblodhi më shumë se 125,000 nënshkrime.
Përkufizimi i ‘Pele’ thotë: “Diçka ose dikush që është jashtë të zakonshmes, diçka ose dikush që për shkak të cilësisë, vlerës ose epërsisë nuk mund të barazohet me asgjë ose askënd, ashtu si Pele, pseudonimi i Edson Arantes do Nascimento. (1940-2022), konsiderohet si sportisti më i madh i të gjitha kohërave; i jashtëzakonshëm, i pakrahasueshëm, unik.”
“Shembuj: Ai është Pele i basketbollit, ajo është Pele e tenisit, ajo është Pele e dramaturgjisë braziliane.”
I vetmi lojtar që ka fituar tri herë Kupën e Botës, Pele konsiderohet gjerësisht si futbollisti më i mirë në histori. Gjatë një karriere prej dy dekadash, Pele shënoi një rekord prej 1,281 golash me kombëtaren braziliane, klubin brazilian Santos dhe klubin amerikan New York Cosmos.
Pasi mbaroi karriera e tij sportive, Pele u emërua ambasador i OKB-së për ekologjinë dhe mjedisin në 1992 dhe ambasador i vullnetit të mirë të UNESCO-s në 1994.
Ai ndërroi jetë në Sao Paulo në dhjetor në moshën 82-vjeçare, pas një beteje me kancerin e zorrës së trashë.