Kandidati i Lëvizjes Bashkë për Bashkinë e Tiranës, Arlind Qori ka bërë një kontroll faktesh mbi deklaratat e Erion Veliajt se ka ndërtuar 40 shkolla në Tiranë përgjatë 8 viteve në pushtet.
Qori thotë se në rastin më të mirë në Tiranë janë ndërtuar vetëm 15 shkolla të reja (ku njëra është dhuratë e qeverisë çeke) në 8 vite të tjerat janë ndërtuar për shkak të programit të rindërtimit për tërmetin.
Sipas Qorit, Bashkia ka meritën për 14 shkolla të reja ku në këto tetë vite i ka ngarkuar qytetarët me 41 mln euro taksë çka do të thotë se mesatarisht e ka ndërtuar një shkollë me 2.9 mln euro ndërsa mesatarja e programit të BE-së për shkolla ka qenë rreth 1.2 mln euro për shkollë.
Ai shton se sipas Ministrisë së Arsimit në 40 shkolla në Tiranë zhvillohet mësim me dy turne ku edhe në përfundim të 8 shkollave që janë në ndërtim e sipër Tiranës do i mungojnë 32 shkolla.
Në fund Qori thekson se Tirana nuk meriton të qeveriset nga hajdutët e sotëm dhe të djeshëm.
Postimi i plotë:
Erion Veliaj ka muaj që mburret se Bashkia e Tiranës ka ndërtuar 40 shkolla të reja. Mbrëmë në TvKlan nxori fotot e 40 objekteve. Nga analiza e të dhënave që gjenden lehtësisht, por edhe prej fotove dhe maketeve të paraqitura dje, mund të konstatohen thjeshtësisht dhjetë fakte:
Në rastin më të mirë, në Tiranën e këtyre 8 viteve janë ndërtuar vetëm 15 shkolla të reja, një prej të cilave është dhuratë e qeverisë së Çekisë. Kam dyshimet e mia për dy shkolla fshatrash, po për momentin po ia quaj bashkisë.
Me fondet e qeverisë për rindërtimin, në Tiranë janë rindërtuar dhe po rindërtohen 17 shkolla. Pra kanë qenë më parë shkolla, por, të shembura nga tërmeti, janë meremetuar ose ribërë.
Nga këto 40 shkolla, me fondet e donatorëve – Bashkimit Evropian, Çekisë, Sllovakisë dhe Katarit – në Tiranë janë ndërtuar, rindërtuar dhe po rindërtohen 9 shkolla.
Nga 40 shkollat e përmendura, 8 prej tyre janë ende në rindërtim e sipër, pra jofunksionale.
Bashkia e Tiranës ka “meritën” e ndërtimit të 14 shkollave për 8 vjet, ose mesatarisht 1.75 shkolla në vit.
Për të ndërtuar këto 14 shkolla, Bashkia i ka ngarkuar qytetarët dhe sipërmarrjet me një taksë për infrastrukturën arsimore, e cila në më pak se 6 vite ka mbledhur 41 milionë euro. Pra kostoja mesatare e një shkolle të re ka qenë 2.928.571 euro.
Për krahasim, shkollat që ndërtohen me fondet e Bashkimit Evropian kanë një kosto mesatare prej 1,190,476 eurosh. (eu4schoolsportal.al)
Shkollat që ndërtohen ose rindërtohen nga Bashkia e Tiranës kanë një kosto për metër katror mjaft më të lartë se shkollat e ndërtuara nga Bashkimi Evropian. Për shembull, shkolla Sami Frashëri, e rindërtuar nga Bashkia e Tiranës, ka pasur një kosto prej 942.19 euro për metër katror. Kurse një shkollë e ngjashme në sipërfaqe dhe kapacitet, si Emin Duraku, që po rindërtohet me fondet e Bashkimit Evropian, ka një kosto prej 447 euro për metër katror. Pra kushton më pak se gjysma e fondeve që ka harxhuar Bashkia e Tiranës nga taksat e qytetarëve.
Kjo dhe pika e mësipërme na nxjerr në përfundimin se Bashkia vjedh dhe shpërdoron fondet e ndërtimit/rindërtimit të shkollave.
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, sot në Tiranë bëhet mësim me turne në 40 shkolla. Kur të përfundojnë 8 shkollat që janë ende në rindërtim, Tiranës do t’i mungojnë 32 shkolla.
Sikur popullsia e Tiranës të mos rritej fare në vitet e ardhshme, me ritmin prej breshke hajdute të Erion Veliajt, Tiranës do t’i duheshin mbi 18 vjet që nxënësit të mos bënin mësim me turne.
Tirana sot dhe Shqipëria nesër meritojnë qeverisje të ndershme dhe kompetente. Hajdutët e sotëm e të djeshëm nuk mund të jenë alternativë për asgjë. Ndaj, dora në zemër, qytetarët e Tiranës kanë vetëm një zgjedhje reale: Lëvizja BASHKË.