Kandidati i opozitës për Tiranën në zgjedhjet e 14 majit Belind Këlliçi prezantoi mbrëmjen e djeshme me hollësi aplikacionin ‘TI Tirana’, pjesë e paketës së programit të tij për kryeqytetin.
I ftuar në emisionin ‘Çim Peka Live’, ai tha se aplikacioni do u vijë në ndihmë kryeqytetasve duke u ofruar informacione të rëndësishme në shumë drejtime.
Pjesë e aplikacionit do jetë orari i mbërritjes së autobusëve, hapësirat boshe në parkingje apo veprimtari të ndryshme të planifikuara në Tiranë.
Informacionet në apikacion do ndihmojnë edhe turistët e shumtë që vizitojnë Tiranën, tha Këlliçi.
“Me këtë program do kesh në kohë reale vendet e parkimit të lira. Ti futesh në hartë dhe harta tregon vendet e lira dhe ti e rezervon. Ti klikon që në momentin e parë dhe ai rezervohet automatikisht. Do ketë sensorë. Përveçse kursen kohë të jashtëzakonshme me gjetjen e vendit të parkimit, të gjithë pronarët që kanë parkime private të vetat, gjatë periudhës që nuk janë makinat e tyre në parkimet nëntokësore mund t’i lëshojnë me një tarifë fikse p.sh 1 mijë lekë ora. Dhe dikush shkon e parkon përmes këtij aplikacioni. Ekonomizon edhe pronarët e vendeve të parkimit”, tha ai.
Lidhur me transportin urban, që do jetë falas, Këlliçi tha se programi do ketë edhe GPS që do japë informacion lidhur me vendndodhjen e autobusëve. Ata do kenë gjithashtu shërbim internet wifi ndërsa ky i fundit do ofrohet edhe në disa pika të Tiranës.
Tjetër risi e aplikacionit do jetë sinjalizimi i mbushjes së koshave të mbeturinave. Sipas kandidatit të opozitës, semaforët në sheshin Skënderbej do jenë inteligjentë, çka do të thotë se do e llogarisin në varësi të trafikut kohën e ndezjes dhe të fikjes.
“Semaforët e llogaritin vetë në varësi të trafikut sa kohë do të rrijë i lirë dhe i bllokuar. Pra, që të mos hapet një semafor 90 sekonda për dy makina në rresht dhe të hapet 10 sekonda për 1 km makina”, shtoi Këlliçi.