Vendosni fjalën kyçe....

Të zhdukur prej tre javësh, Fatmir Sulovari e Leonard Theodhori u vranë në Vrinë, policia arreston një person


Nga Elton Qyno

Rrëmbimi, vrasja dhe më pas zhdukja e trupave të dy personave Fatmir Sulovarit dhe Leonard Theodhorit alias “Koçole”, tashmë ka një person të arrestuar nga Policia e Vlorës.

“Ora News” mëson se njëri nga personat që ka dijeni për vendodhjen e trupave të pajetë të Koçoles dhe Sulovarit, është vënë në pranga.

Ndërsa operacioni policor pritet që në ditët në vijim të shtrihet dhe tek individët e tjerë, që janë implikuar në këtë ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në qytetin turistik të Sarandës

Arrestimi i tij është kryer pasi një ditë më parë gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale të “Kryerjes së veprimeve që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”.

Burime të sigurta pranë policisë së Vlorës, i thanë gazetarit të “Ora News”, Elton Qyno, se personi i arrestuar është shtetasi Sofokli Baxheri, nga qyteti i Sarandës.

S.B, ka një aktivitet tregtar në Sarandë, që meret kryesisht me blerjen, dhënien me qëra dhe shitjen e pronave të paluajtshme.

Hetimi ka provuar se Sofokli Baxheri, është njeriu që ka gjetur shtëpinë me qëra në fshatin Nivicë të Himarës, aty ku më pas është gjendur dhe makina tip “Benz-Mercedez”, me të cilën është rrëmbyer në Sarandë, Fatmir Sulovari.

Burimet thonë se Sofokli Baxheri, ka çuar personat në ambjentet e shtëpisë në Nivicë dhe është larguar.

Por megjithëse ai fillimisht përballë policisë ka filluar të flasë, sërisht Sofokli Baxheri është tërhequr nga bashkëpunimi, pasi i ndruhet një hakmarje të mundshme nga anëtarët e grupit kriminal, që rrëmbyen dhe vranë Fatmir Sulovarin dhe Leonard Theodhorin.

Ai ka dhënë një dëshmi kontradiktore përballë grupit të hetimit, duke u shprehur se shtëpinë ja kishte dhënë me qëra një personi që jetonte jashtë shtetit.

Mes tyre nuk është kryer asnjë akt-noterial, pasi sipas tij gjithçka është kryer në mënyrë verbale.

Por policia dhe prokuroria e Sarandës, janë të bindur që pikërisht në këtë shtëpi, kanë qëndruar anëtarët e grupit kriminal që kanë kryer vrasjen e dy personave dhe vendosjen e tritolit në banesën e ndërtuesit Afëz Kulla, ngjarje kjo e ndodhur në 5 Dhjetor 2022 në Sarandë.

Ndërkohë për llogari të hetimeve që po kryhen për të dyja ngjarjet, policia ka sekuestruar dhe një mjet tip “Range-Rover”, të vjedhur. Pikërisht në këtë makinë janë fiksuar gjurmë gishti dhe profile biologjike të ADN-së.

Këto prova janë çuar për ekzaminim në laboratorin e policisë shkencore me shpresën e identifikimit të personave.

Ndërkohë makina tjetër tip “Benz-Mercedez” me targa të vjedhura në Tiranë, prej muajit dhjetor 2022 është mbajtur qnë një banesë në fshatin Nivicë.

Ku pasi është lyer me bojë tjetër, sërisht ka dalë në qarkullim në rrugët e Sarandës, po këtë herë për të marë peng dhe transportuar drejt fshatit Vrinë, Fatmir Sulovarin.

Fati i këtij të fundit së bashku me mikun e tij, Leonard Theodhori, nuk dihet zyrtarisht nëse është gjallë apo i vdekur. Nga ana tjetër policia dhe familjarët kanë humbur shpresat për mundësinë e gjetjes së tyre të gjallë.

Dy personat e marrë peng, ka shumë dyshime të forta se janë ekzekutuar në fshatin Vrinë të Sarandës, ndërsa trupat e tyre ende nuk janë gjetur.

Zhdukja e tyre dyshohet se, lidhet me kapjen në 6 raste të ndryshme, të një sasie droge në ishullin turistik të Korfuzit në Greqi.

Operacioni i policisë greke i kryer në janar 2023, çoi në arrestimin e 8 personave, mes të cilëve dhe një shqiptari, i cili ishte drejtuesi i trafikut të marjuanës nga territori shqiptar në atë grek.

Ka indicie të forta se, dy të zhdukurit janë implikuar në këtë trafik droge. Fatmir Sulovari dhe Leonard Theodhori, (Koçole) u zhdukën në 6 Prill 2023.

Ndërkohë në 10 Prill, familjarët i janë drejtuar komisariatit të Sarandës, duke depozituar kallëzim penal për humbjen pa gjurmë të dy personazheve të botës së krimit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ora News