Kandidati i opozitës për Elbasanin Luçiano Boçi ka bërë thirrje për fikjen e inceneratorit.
Në një shënim në Facebook ai rendit atë që e quan kërcënim mjedisor dhe rrezikun që ai paraqet për qyteratërt e Elbasanit.
Sipas tij, teknologjia e përdorur prej këtij impianti shpërfill çdo parametër të mjedisit duke dënuar me vdekje banorët sepse hiret e tymrat që lëshohen prejtij janë kancerogjene.
“INCENERATORI DUHET TË FIKET. E ashtuquajtura afera e Inceneratorëve nisi në Elbasan. Ishte viti 2014. Nisi këtu, sepse Elbasani konsiderohej një mjedis i vdekur, një trup i vrarë nga ndotja historike, një kufomë territoriale, një hapësirë pa asnjë shpresë. Inceneratori ishte gozhda e fundit në një arkivol – tashmë të nisur drejt varrit. Kjo çështje nuk ngrihet për të diskutuar mbi vjedhjen. Me atë merret SPAK! Unë dua të flas për kërcënimin mjedisor dhe për rrezikun eminent që kjo vepër paraqet për çdo banor të bashkisë Elbasan. Kjo bashki u konsiderua kaq e pavlerë nga socialistët sa ata mblodhën aty mbetjet urbane të krejt qarkut. Teknologjia e zgjedhur shpërfillte çdo parametër mbrojtës të mjedisit. U zgjodh e vjetër që të ndihmonte ata që do të vidhnin. Por nuk është kjo çështja – e thamë! Teknologjia e vjetër dënon me vdekje banorët e këtij rajoni. Hiret që ajo nxjerr janë kancerogjenë! Tymrat që ajo nxjerr janë kancerogjenë. Në një bashki me shpeshtësinë e kancerit disa herë më të lartë se çdo qytet tjetër – ky investim është vërtet një makinë vrasëse, një ndëshkim kolektiv.” – tha Boçi.
Boçi shton më tej se edhe vendi i përzgjedhur për ngritjen e tij është krim ekologjik. Kandidati i opozitës thekson se tymrat e inceneratorit do ndotin përfundimisht prodhimet bujqësore e tokat më pjellore që ka Elbasani.
“Vendi i zgjedhur është një tjetër krim ekologjik. Tymrat e inceneratorit ndotin përfundimisht hambarin e prodhimit bujqësor të bashkisë së Elbasanit – Jagodinën, Kuqanin, tokën më pjellore që kemi. Të flasësh për turizëm në një pavion onkologjie është marrëzi! Pse duhet të mendojmë a do t’i mbijetojmë këtij kampi përqëndimi ku na kanë futur? Herët ose vonë gazrat dhe hiret kancerogjene do të na arrijnë dhe të na shenjojnë me shenjën fatale të sëmundjes. Në këto javë e muaj kur kam punuar programin tim zgjedhor kam rikaluar në dorë të gjitha dëshmitë e mbledhura në komisionin hetimor të inceneratorëve. Kam folur me ekspertë të vendit dhe të huaj, kam vlerësuar me ta të dhënat teknike të impiantit dhe analiza e rrezikut, më bind përfundimisht se Inceneratori duhet mbyllur.” – vijoi Boçi.
Në fund të shënimit të tij, kandidati i opozitës thskeon se inceneratori duhet fikur sa më shpejt e më pas duhet hequr bashkë me malin me plehra. Sipas Boçit, inceneratorit s’mund të jetë ‘banor’ i Elbasanit.
“Së pari, ai duhet fikur. Së dyti – ai duhet hequr bashkë me malin me plehra që e shoqëron. Unë nuk mundem të shoh miqtë e mi në sy dhe të mendoj në heshtje se kur do të vdesë seicili prej tyre. Ky incenerator është dënimi ynë kolektiv. Si qytetar i Elbasanit unë nuk mund të pranoj që pronat tona vetëm të humbin vlerë ndërsa qyteti braktiset dhe askush nuk i afrohet më. Si njeri politik unë nuk mund të pranoj të shoh njerëz që sa më shumë punojnë në bujqësi, aq më të varfër janë, sepse produkti i tyre konsiderohet një Helm me ngjyrë të gjelbër. Unë nuk mund të lejoj që dikush t’u bëjë njerëzve të mi një padrejtësi të tillë. Këtu nuk është më fjala për role politike. Këtu është fjala për të ndaluar një dhunë masive që na ka dënuar të gjithëve si komunitet, si qytetarë, me vdekje. Inceneratori duhet të fiket SOT. Inceneratori nuk mund të jetë banor i kësaj bashkie. Ose ne, ose ai.” – mbyll reagimin Boçi.