Vendosni fjalën kyçe....

Vdekjet në kultin e urisë në Kenia arrijnë në 89, arrestohet personi i dytë


Policia keniane ka arrestuar një tjetër pastor për t’u përballur me akuza penale në lidhje me vdekjet masive të supozuara mes ndjekësve të tij, pas ndalimit të ngjashëm të një udhëheqësi të ‘kultit të urisë’ muajin e kaluar.

Ezekiel Odero, udhëheqësi i Qendrës së Lutjeve të Jetës së Re në Malindi, një qytet bregdetar rreth 120 km në verilindje të Mombasas, u arrestua të enjten pas ‘pretendimeve për vdekjet që kanë ndodhur në mjediset e tij’, u tha gazetarëve komisionerja rajonale Rhoda Onyancha.

Sekretari i kabinetit të brendshëm të vendit të Afrikës Lindore, Kithure Kindiki, njoftoi të enjten se kisha ishte mbyllur dhe se i dyshuari ‘po procedohej për t’u përballur me akuza penale’.

“Mbi 100 personat që ishin strehuar në mjediset e kishës janë evakuuar dhe do t’u kërkohet të japin dëshmitë”, tha Kindiki në një postim në Tëitter pa dhënë hollësi të mëtejshme.

Odero është transferuar nga Malindi në selinë e policisë rajonale në Mombasa për t’u marrë në pyetje.

Avokati i televangjelistit, kisha e të cilit thuhet se tërheq turma të mëdha dhe mund të strehojë 40,000 njerëz, pohoi se nuk ka prova për të mbështetur akuzat kundër klientit të tij.

“Ata do e lirojnë atë pasi të kenë përfunduar hetimet pasi nuk kanë asnjë provë për të kapur,” tha Jared Magolo, sipas mediave lokale.

Ai gjithashtu mohoi të kishte njohuri për ndonjë lidhje midis Oderos dhe pastorit Paul Mackenzie Nthenge, i cili është akuzuar se ka nxitur ndjekësit e tij të vdisnin nga uria në mënyrë që të ‘takonin Jezusin’.

MacKenzie, i cili themeloi Kishën Ndërkombëtare të Lajmit të Mirë në Malindi dhe ka pasur përplasje të shumta me ligjin që nga viti 2017, u arrestua sërish më 14 prill pasi hetuesit zbuluan varre masive që përmbanin dhjetëra trupa të shpërndara në të gjithë pronën e tij prej 800 hektarësh.

Që nga java e kaluar, policia në Kenia ka zhvarrosur më shumë trupa, duke e çuar numrin e të vdekurve në 95 të mërkurën, u tha gazetarëve komisioneri rajonal Onyancha. Zyrtari shtoi se të paktën 22 persona janë arrestuar deri më tani në lidhje me hetimin, të cilin presidenti i vendit, William Ruto, e ka krahasuar me ‘terrorizëm’.