Autoriteti Portual Durrës (APD) i është përgjigjur interesimit të “Monitor” për mënyrën se si do të transferohen aktivitetet e operatorëve privatë nga porti i Durrësit në portin e ri tregtar që do të ndërtohet në Porto Romano, si dhe si janë koordinuar mes tyre autoritetet shtetërore për vijimin e kontratës koncesionare të kompanisë EMS APO, në një kohë kur në portin aktual të Durrësit pritet të nisë projekti i marinës.
Në lidhje me transferimin e shërbimeve, APD thotë se do të jetë një proces gradual, ndërsa shton se me përfundimin e projektit inxhinierik do të detajohet ndarja e terminaleve sipas kategorisë së mallrave përpunuese.
“Dëshirojmë të sqarojmë, sikundër e kemi bërë dhe në rrethana të tjera në media kombëtare, dhe në praninë e kolegëve të nderuar të “Monitor”, se transferimi i shërbimeve të ngarkim-shkarimit të mallrave nga porti i vjetër i Durrësit në Porto Romano është pjesë e politikave të shërbimeve portuale në rikonceptimin e Autoritetit Portual Durrës si një një autoritet portual me dy porte.
Transformimi i portit aktual dhe ndërtimi i faciliteteve të reja në Porto Romano krijojnë në fakt një Autoriteti portual me dy porte. Kjo në përputhje me praktikat më të mira të zhvillimeve portuale në vende të Europës veriore dhe perëndimore.
Transferimi aktiviteteve tregtare në portin e ri në Porto Romano do të jetë gradual dhe në të njëjtën linjë do ketë dhe transferim të kategorive të shërbimeve të përpunimit të ngarkesave kontenierike dhe mallra të tjera në mënyrë që mos të ketë cënim të veprimtarive portuale. Në këtë kuadër po finalizojmë projektin inxhinierik të detajuar që përfshin disa terminale sipas kategorivë të mallrave që do të përpunohen projekte të cilat në faza të ndryshme i kemi ndarë të detajuara dhe publikisht me palë të interesuara”, thekson APD.
Ndërsa për kordinimin mes strukturave shqiptare me qëllim vijimin e kontratës koncesionare të kompanisë EMS APO në një kohë kur në portin e Durrësit është miratuar nga Parlamenti zbatimi i një projekti të ri, APD habit me sqarimin e tij, duke theksuar se nga korrespodenca e vazhdueshme që ka pasur me koncesionarin është arritur zgjidhja e mosmarrëveshjeve me mirëkuptim.
“Në lidhje me projektet zhvillimore në zonat portuale Durrës – Porto Romano, ku parashikohet nga njëra anë ndërtimi i marinës turistike, dhe nga ana tjetër, në Porto Romano, ndërtimi i një faciliteti të ri portual, bëjmë me dije se në fazat e projektimit dhe detajimit, janë kryer prezantimet e nevojshme pranë subjektit EMS-APO në mënyrë transparente, sikundër pranë të gjithë operatorëve portualë, në takimet periodike të Këshillit Konsultativ të Portit dhe në takime të posaçme.
Në këto takime është kërkuar bashkëpunimi i tyre dhe është marrë pëlqimi i tyre për mbarëvajtjen e këtyre projekteve zhvillimore të rëndësishëm për ekonominë e vendit dhe sektorin detar në veçanti.
APD ka patur gjithashtu një korrespondencë të vazhdueshme me EMS-APO në lidhje me këto çështje dhe referuar propozimit të vetë EMS-APO, Qeveria shqiptare ka vijuar me hapat e mëtejshëm procedurial për të mundësuar amendimet e nevojshme të Kontratës Koncesionare dhe përditësimit të zonës së operimit, pa cënuar në asnjë moment as objektin e veprimtarisë së Kontratës dhe as vijimësinë e saj.
Gjithashtu dhe në kuadër të vullnetit të shprehur prej vetë EMS-APO për të mbështetur projektet e zhvillimit të portit të Durrësit, Autoritetet shqiptare kanë vijuar me hapat tekniko ligjorë të vlerësimit dhe miratimit të Investimit Strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”.
Për më tepër, në vijim të korrespondecave të dyanshme lidhur me këtë çështje, Autoritetet shtetërore kanë treguar gatishmërinë e plotë për të vlerësuar dhe garantuar të gjitha kërkesat e subjektit EMS-APO, më konkretisht:
Garancinë nga Autoriteti Kontraktor për vijueshmërinë e aktivitetit të koncesionarit EMS – APO, për periudhënn e mbetur të Kontratës koncesionare; Lirimin e sipërfaqeve të caktuara sipas propozimit të vetë EMS-APO, duke e përjashtuar këtë të fundit dhe nga pagesa e qirasë për këto sipërfaqe; Rishikimin e kostove dhe shpenzimeve të Konçesionarit, ku vlera e investimeve nuk do ndryshojë, por kërkohen adaptime të zërave specifikë; Angazhime të tjera të palëve në përputhje me parashikimet e kontratës.
Për këtë qëllim, në përputhje me parashikimet e kontratës dhe të orientuar nga parimet e bashëpunimit dhe të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me mirëkuptim, APD ka patur një komunikim të vazhdueshëm shkresor me EMS – APO, sikundër janë organizuar dhe takime mes koncesionarit dhe përfaqësuesve të Autoriteteve shtetërore relevante”.
Sakaq kompania gjermane EMS APO që prej 9 vitesh operon për zbatimin e kontratës koncesionare për përpunimin e anijeve të mallrave rifuxho në terminalin lindor të portit të Durrësit i është drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit për trajtim të pabarabartë dhe diskriminues nga autoritetet shtetërore duke dëmtuar rëndë interesat e ligjshëm.
Ceo i kompanisë EMS APO z. Manfred Mueller në intervistën për Monitor u shpreh se shteti jo vetëm nuk ka zbatuar detyrimet e kontratës, por ka trajtuar në mënyrë preferenciale operatorin në Porto Romano, duke i zgjeruar kontratën e ofrimit të shërbimit pa hapjen e një garë.
Mueller tha se edhe marrëveshja për “Durrës Yachts Marina” bie në kundërshtim me kontratën koncesionare të EMS-Fehn-Group, ndërsa shton se nuk ka asnjë përgjigje nga autoritet shtetërore se si do vijohet me aktivitetin e operatorit të terminalit lindor.
Por a ka sjellë rënie të volumit të mallrave në portin e Durrësit, hapja e portit të ri në Porto Romano. APD thekson se në të dyja portet 5 vitet e fundit ka pasur rritje të volumit tregtar. “Në cilësinë e Autoritetit Portual Durrës, veprimtaria operacionale vlerësohet në tërësinë e kompleksit portual Durrës – Porto Romano. Nga ky këndvështrim, në tërësinë e kompleksit portual Durrës – Porto Romano konstatohet në 5 vitet e fundit një rritje konsistente e volumeve tregtare ccdo vit, mesatarisht me +250 mijë tonë rritje në vit. Reduktimet të cilave ju i referoheni mund të kenë të bëjnë me performancën specifike të terminaleve të caktuara, ndërkohë që në terminale si ai i kontejnerëve apo i trageteve kemi një rritje konsistente të volumeve, veçanërisht pas pandemisë”.
VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor