Vendosni fjalën kyçe....

Bejko: Tirana është kthyer në lavatriçe parash, s’ka arsye të besoj në zgjedhje të ndershme


Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të 14 majit, Roland Bejko, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 ka folur në lidhje me fushatën elektorale deri më tani.

Duke e mbrojtur programin e tij të punuar nga profesionistë, Bejko tha se teza kryesore e fushatës dhe programit të tij elektoral është e diktuar nga gjendja ekonomike e kryeqytetit, pasi ka një “ekonomi të kriminalizuar” që duhet çliruar nga duart e oligarkëve ekonomikë dhe politikë.

Ai deklaroi se Tirana është kthyer në një “lavatriçe parash”, ndërsa shtoi se sa i përket fushatës së PD-së, ka pasur një penalizim për shkak të bllokimit të fondeve nga KQZ. Bejko vijoi më tej duke thënë se synon votat që janë kundër “kastës së vjetër politike” dhe jo vetëm militantët partiakë.

I pyetur në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve, ai tha se nuk ka arsye të besojë se zgjedhjet do jenë të lira dhe të ndershme pasi nuk është bërë asnjë gjë për të ndryshuar situatën pas rekomandimeve të OSBE, ndërsa shtoi se kryeministri Rama ka ka hapur thesin e premtimeve dhe investimeve publike për qytetarët në mënyrë të paligjshme në atë që e quajti “sezon zgjedhor”.

 

“Fushata është shumë intensive. Kemi komunikimin mediatik dhe takimet në terren dhe me strukturat. Programi është punuar nga profesionistë. Teza kryesore e programit është diktuar nga gjendja ekonomike e Tiranës dhe vendit. Kemi ekonomi të kriminalizuar dhe duhet çliruar nga duart e oligarkëve dhe oligarkisë politike. Tipari kryesor i kapitalizmit është tregu i lirë dhe në Tiranë kjo ka munguar. Çdo investim i rëndësishëm kontrollohet nga disa duar që duken si të padukshme. Tiranën nuk e menaxhon Erion Veliaj, por Edi Rama që ka detyrime te oligarkët që e kanë ndihmuar të vijë në pushtet.

Tirana është kthyer në lavatriçe parash. Edhe diktaturat mund të ndërtojnë vepra publike. Ne jemi në demokraci. Është diskutuar se do prishen rreth 50 mijë banesa të vjetra. Sipas studimeve tona pjesa kryesore i përket moshës së tretë. Vendimi i qeverisë i kërcënon seriozisht prishjen e këtyre banesave, kjo qeveri është e dhunshme ndaj qytetarëve që i sheh si të dobët. E ka bërë këtë në disa zona. Gjëja e parë që duhet bërë është çlirimi nga kjo filozofi. Këtu konsiston edhe slogani, t’i rikthejmë frymëmarrjen Tiranës. Duhet të jemi shumë korrektë, ka vetëm një Parti Demokratike.

Neve na penalizon fakti që financat janë bllokuar nga KQZ dhe nuk janë liruar ndërsa kanë ngelur vetëm dy javë fushatë. Kundërshtarët tanë i kanë me shumicë paratë dhe të mirat. Në këto kushte oligarkie politike nuk i ndaj dot Berishën nga Meta dhe Rama. Mungesa e billboardeve është një lloj handikapi sepse vizualisht nuk je në qytet, por në rrjetet sociale kemi një feedback pozitiv. Ne duam votat që janë kundër kastës së vjetër politike që sundon prej 30 vitesh. Vetë Rama e ka organizuar kështu fushatën e tij. Ka vendosur krah vetes dy personazhe pa të cilët nuk rri dot. Me ata ai rri në pushtet sa i do qejfi. Ne vijmë si ofertë e re se jemi çliruar nga barra e së keqes që kishim se e mori Berisha me vete dhe iku. Fatmirësisht u ndamë nga barra e së shkuarës, si mund të ketë një parti një kryetar non-grata?

Ne fokusohemi te qytetarët që janë kundër kësaj klase politike, jo te militantët partiakë. Askush nga ne në PD nuk ka ngarkesë korrupsioni apo bashkëpunim me krimin e organizuar. Ne duam mbështetjen e qytetarëve dhe kemi nisur një rrugë afatgjatë. Rezultati që do marrim në bashkinë e Tiranës do jetë i rëndësishëm edhe për vitin 2025. Këlliçi po hedh teza të majta dhe populiste për të tërhequr vëmendjen. Ai thotë transport falas, nuk ka falas në kapitalizëm, as në komunizëm nuk kishte. Duket sikur bën diçka që të jenë të gjithë të barabartë, por është e pabarabartë. Ata nuk kanë ende një program, nuk e kanë seriozisht sepse nuk e kanë seriozisht ustallarët që e kanë nxjerrë. Unë e kam garën me sistemin. Unë i shoh të dy njësoj, si Belindin dhe Veliajn. Kushdo që të fitojë, do u shkojnë punët vaj. Tiranën dua ta fitoj, qytetarët janë lodhur me establishmentin.

Nuk kam arsye të besoj se zgjedhjet do jenë të lira dhe të ndershme sepse nuk është bërë asgjë për të ndryshuar situatën nga rekomandimet që ka bërë OSBE. Premisat janë sepse Rama ka hapur thesin e premtimeve dhe investimeve publike dhe ka bërë premtime pompoze që prekin xhepin e qytetarëve shqiptarë. Të gjitha i ka bërë në mënyrë të paligjshme në sezonin zgjedhor. Nëse nuk do ketë zgjedhje të lira demokratike, depresioni social do rritet edhe më shumë”, u shpreh ai.