Vendosni fjalën kyçe....

Rama podkast me sipërmarrësin: Kemi paga konkurruese me Evropën


Në episodin 4 të podkastit “Flasim”, Kryeministri Edi Rama kishte të ftuar sipërmarrësin Agim Xhindoli, i cili ka ngritur një biznes në nivel ndërkombëtar me gurin dhe mermerin dhe ka 110 të punësuar.

Fëmija i dymbëdhjetë i një familjeje “kulakësh”, Xhindoli foli për urinë, luftën për mbijetesë, emigrimin dhe vlerën e paçmuar të punonjësve në suksesin e një sipërmarrjeje.

Në fillim të prezantimit, Rama tha se Xhindolin e ka takuar rastësisht, ndërkohë që vizitonte fabrikën e tij.

Do shkoja të hyja në fabrikën e një demokrati shumë të flaktë, shumë të zjarrtë, me shumë nam dhe natyrisht pengesa psikologjike vinte dhe si rezultat edhe i respektit për faktin që dikush vërtetë ka të drejtë të ketë bindjen e tij, por ka të drejtë dhe për shkak të bindjeve të tij të mos hapë derën e fabrikës për një kryeministër që nuk është zgjedhur prej tij dhe nuk e përfaqëson në atë sferën e bindjeve të tij. Mirëpo, dera u hap menjëherë, mikpritja ishte e jashtëzakonshme, çfarë unë pashë aty ishte mbresëlënëse dhe edhe ftesës për të ardhur këtu, Gimi iu përgjigj me shumë dëshirë”, tha ai.

I lindur dhe rritur në një familje myzeqare në Lushnje, Xhindoli u shpreh se familja e tij rridhte nga një familje bejlerësh, ndaj konsiderohej nga sistemi  si “kulakë, reaksionarë” dhe ishin ‘të zhveshur’ nga çdo pronë dhe nga çdo e drejtë.

Ndërsa tregoi gjithë peripecitë e rritjes në kushtet e një sistemi të tillë, Xhindoli tregoi se u largua nga Shqipëria drejt Italisë me eksodin e ’91.” Në Itali kam ikur në ’91 e kam lënë djalin 1 vjeç dhe kur jam kthyer e kam gjetur djalin 4 vjeç. Kur kam ardhur për herë të parë, pas 3 vjetëve, i tha djali të ëmës “Kush është ky burri që fle këtu?”, tha ai.

Xhindoli tregoi se në vitin 1994 u rikthye në Lushnjë ku hapi biznesin bashkë me vëllezërit dhe punësoi 3 italianë.

Kam sjellë shkollën e parë moderne nga Italia që ishte makina brenda në klasë, të gjitha tipet e mjeteve dhe kam sjellë, gjithë pajisjet për lyerjet e makinave, kam sjellë një bojaxhi, një karrocier për llamarinat dhe një mekanik, që në ’94. Kanë punuar 3 vjet në Shqipëri, u martuan me gra shqiptare dhe kanë familjet sot e kësaj dite”, tha ai.

Xhindoli tregoi se si arriti të ngrinte pas ’97 biznesin e gurit dhe mermerit. “Kemi dhënë kontributin tonë në Lushnje. Unë dhe biznesin e kam në Lushnje, nuk jam zhvendosur dhe shtëpinë aty e kam. Që në 2003 kam marrë nënshtetësinë italiane. Nuk jetoj në Itali. Vetëm në Lushnjë jetoj”, tha ai.

Ai kujtoi se Kryeministrin Rama e ka parë për herë të parë në vitin ‘87 kur ishte në Lushnjë kur ndërtohej muzeu. “Ne kemi qenë shoferë atëherë dhe ne të rinjtë juve ju shikonim, se Lushnja qytet provincial i vogël. Ti që atëherë ke qenë nga natyra rebel, ke qenë modern, inovativ, ne të shikonim idhull, ta them me sinqeritet”, tha ai.

Unë jam krenar. Unë dhe familja ime e them me plot gojën, që jemi të vetmit gjatë 32 viteve që nuk kemi luajtur nga PD dhe jemi te PD, atje ku kam kontributin 32-vjeçar unë dhe familja ime. Jemi të drejtpërdrejtë, nuk fshihemi. Prandaj respektohemi se jemi të drejtpërdrejtë. Japim kontributin tonë, por s’kam asnjë kompleks. Madje dhe kur erdhët ju te fabrika se unë ju vlerësoj shumë dhe ju respektoj në maksimum se je kryeministri i parë, – se unë në biznes nuk kam as 3 ditë, as tre muaj, as 3 vjet, në 1 maj tani, mbush 29 vjet – dhe nuk ka ardhur njeri nga politika, nga PD që unë kam kontributin tim familjar, të më ketë vizituar fabrikën, as për mire, as për keq”, shtoi Xhindoli.

Duke folur për pagat në fabrikën e tij dhe trajtimin e punëtorëve, Xhindoli tha se ka pagat konkurruese me Evropën.

Ne si kompani kemi 3 gjëra që i kemi të shenjta që janë paga e punëtorit, kësti i kredisë dhe data e dorëzimit të porosisë tek klienti”, shtoi ai.

Hemorragjia nuk është vetëm për Shqipërinë. Mua më lidh puna që kam shumë miq dhe në Itali dhe në Ballkan, po hanë dynjanë dhe italianët. Po në Itali edhe një punëtor, një specialist aq merr, 1000-1200 euro, por i vete shtëpia 500 euro, kurse këtu është në shtëpi të vet. Nëse në Shqipëri merr një pahë 800 apo 1000 euro në muaj, ça do më? Dhe e keqja është kjo, këtu 8 orë dhe rri në kafe, atje venë punojnë nga 16 orë, shqyhen, po punon 16 orë ti, ka punë sa të duash. Vetëm puna nuk mungon këtu”, shtoi ai, ndërsa u shpreh se ka pasur edhe të kthyer nga emigrimi në fabrikën e tij.

Rama tha se “është një fazë shumë kritike kjo në fakt për ekonominë edhe për sipërmarrjet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në gjithë botën”.

Në Shqipëri është një fazë shumë kritike sepse të themi të vërtetën biznesi yt dhe kjo kategori e këtij lloji mentaliteti dhe e kësaj lloj qasjeje me biznesin, nuk është e vetmja pamje e realitetit të biznesit shqiptar, ka edhe një pamje tjetër që është realiteti i shfrytëzimit të punonjësve deri në aty ku s’mban”, shtoi kryeministri.

Kryeministri vlerësoi në fabrikën e Xhindolit, kapacitetin për të dalë përtej kufijve dhe për të eksportuar.

Kemi marrëdhënie me shumë shtete. Marrim në Kinë, marrim në Indi, marrim në Brazil, marrim në të gjithë Evropën. Kemi investuar në teknologji, në makineri bashkëkohore dhe punojmë me arkitektë. Marrim projekte dhe i bëjmë dhe kemi goxha punë edhe për klientë të huaj. Tani janë aktualisht 110 punëtorë. Pothuajse 80-90% janë të kualifikuar, kam gati 20 vetë që janë punëtorë turq që punojnë nëpër karriera. Që kanë eksperiencë”, tha ai.

Duke iu drejtuar të rinjve shqiptarë, Xhindoli u shpreh se “me punë arrihet gjithçka”. “Unë sot po të kem edhe 40 veta, 50 veta i marr qysh nesër në punë. Edhe specialistë, edhe i paguaj më mirë, nuk ka më, mirëpo këtu është ajo që do ikim. Por unë i them të rinjve, që me mund e me sakrificë arrihet gjithçka. Punë ka. Kur të vijë momenti që ty të krijohet një mundësi e lë dhe vazhdon punën tjetër”, shtoi ai.

Djali im ka filluar punë që në klasë të 5-të. Punonte tek fabrika 3 muajt e beharit. E paguaja unë. Jo vetëm djali im, por edhe fëmijët e vëllezërve. Unë nuk e quaj veten pronar, jam një sipërmarrës. Unë jam një punëdhënës. Pronar unë jam i pasurisë së paluajtshme. Nuk jam pronar i punëtorit. Unë pa ata s’bëj asgjë. Edhe ata për mua. Unë kam marrë një risk që si sipërmarrës do të bëj diçka, edhe në bashkëpunim me ata. Dhe kështu i konsideroj punëtorët. Jam shumë i lidhur me ta”, shtoi ai.

Duke folur për klimën e biznesit në vend, Xhindoli u shpreh se: “kjo është super e vërtetë dhe unë prandaj ju vlerësoj, ju respektoj dhe sa të jem gjallë do t’ju mbështes se ju jeni punëtor si puna ime. Edhe ty s’të ka fal asnjëri asgjë, as mua”.

Megjithatë ka shumë për të bërë akoma dhe jam i bindur që me sipërmarrës që e vlerësojnë punonjësin më shumë se çdo gjë tjetër, me një qeveri që e vlerëson sipërmarrjen më shumë se çdo gjë tjetër dhe me një ndërveprim mes qeverisë dhe sipërmarrjes dhe më të fortë, do të ecim shumë më shpejt përpara, jam i bindur për këtë”, shtoi Rama.