Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga deputeti i zonës, Fatmir Xhafaj vlerësoi me certifikata mirënjohje emra të njohur, që me punën e tyre i kanë shërbyer komunitetit të Njësisë 10 në kryeqytet.
Duke iu shprehur mirënjohjen për kontributin e këtyre personaliteteve në jetën e vendit, Veliaj tha se qyteti sot është më i mirë falë punës dhe kontributit të këtyre njerëzve me influencë.
Veliaj vlerësoi figurën e mësuesit dhe shtoi se është gjë e mirë të shohësh mësuesit të ngrihen në pidestal në kohën e sotme.
“Jam vërtet mirënjohës për kontributin që secili ka dhënë në fusha nga më të ndryshmet. Sot vërtetë ndihem se kemi një qytet është më i mirë falë punës suaj. Shoh gjithashtu sot që më shumë se kurrë, kemi një sulm për vlerat nga anti-vlerat, kemi një sulm për kulturën nga anti-kultura, kemi një sulm për profesionistët nga ata që nuk janë ekspertë dhe nuk janë profesionistë. Kur shikoj emrat e nderuar të mjekësisë, kujtohem sa kohë kanë pa dalë në televizor. Unë i njoh, Tirana e vjetër i njeh, por rinia nuk i njeh. Në televizor del më shumë njëri që thotë që vaksinat janë me çip dhe që Steve Jobs me Bill Gates kanë futur atje një mikorçip që të kontrollojnë botën me telekomandë. Mësuesin e kemi zëvendësuar me youtube apo me disa reality shou. Imagjinoni, në mes të Tiranës dikush ngre gishtin e mesit, është shumë krenar dhe paguan para për ta nxjerrë. Imagjinoni që ne kemi më shumë besim që një sistem kompjuteri do ruajë fëmijët tanë ndaj vulgaritetit?! Sot më vjen mirë të shoh mësuesit të ngrihen në piedestal”, tha Veliaj.
Mandej, kryebashkiaku shprehu mirënjohjen edhe për gazetarë dhe biznesmenë që kanë kontribuuar gjithashtu në komunitetin e njësisë 10.
“Gëzohem që shoh disa miq të qytetit nga media dhe shoqëria civile. Unë e kuptoj, jetojmë në demokraci, mund të kemi opinione të ndryshme, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme. E takoj gazetarë që thonë: “Sapo dëgjuam atë të dëgjojmë dhe palën tjetër dhe unë e kam kryer misionin”. I thashë një gazetareje: “Jo zonjë nuk e ke kryer misionin. Ti nuk mund të kesh njërin që thotë toka është sheshtë, tjetri thotë toka është e rrumbullakët dhe ti të thuash: Ja pra të dashur qytetarë, ne i dëgjuam të dyja palët dhe ky është mision”. Jo ky nuk është misioni yt. Nëse dikush po thotë një idiotësi anti-shkencë dhe anti-kulturë ti duhet të kapesh. Detyra këtu është edhe të kontrollojmë faktet. Ne mund të kemi opinione të ndryshme, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme. Gjithashtu, jam vërtetë mirënjohës që shikoj që për herë të parë, imagjino ne jemi Parti Socialiste. Që do vinte dita që Partia Socialiste do shpërndante certifikata mirënjohje për biznesin, ky është një evolucion shumë i madh i partisë tonë”, tha Veliaj.