Banorët e Bërxullës kanë zhvilluar një protestë ditën e sotme. Ata kanë bllokuar njërin krah të rrugës së Rinasit duke u ulur në njërin krah të saj.
Ata kërkojnë dëmshpërblimin e pronave, që preken nga rruga Thumanë-Kashar, me vlerën e tregut.
Banorët protestojnë prej më shumë se 8 muajsh ndërsa i kërkojnë ministres së Infrastrukturës Balluku që të vijë t’i takojë.
“Ajo ministrja bën mirë që të vijë. Në qoftë se nuk ka rrugë tjetër alternative, i them qeverisë të na bëjë aksionerë bashkë me firmën dhe rrimë ne 30 vjet, marrim paratë tona dhe rrimë rehat. Ne ngelemi pa fëmijë e pa tokë. Çfarë të bëjmë ne, të vrasim veten. Është mëkat i madh. Qeveria na ka hedhur në përrua.” – tha një banor.
Ndërsa një tjetër banor tha se është e padrejtë që pronat e tyre të grabiten nga shteti e kompanitë private ndërsa i bënë thirrje SPAK-ut që të hetojë problemet e pronave në Shqipëri.
“U bënë mbi 7 muaj që protestojmë. Protesta jonë ka rënë në vesh të shurdhër. Jemi brezi më i vuajtur se kemi dy sisteme, komunistin dhe këtë. Në kohën e Enver Hoxhës nuk pamë një ditë të diele pushim. Jo do shkonim të shkruanim parulla, pastaj ishin aksionet. Le t’i shpronësojë Rama pronat e veta. Vetëm ne do dalim të dëmtuar nga ndërtimi i Shqipërisë. Këta të hanë e të pinë, të çojnë fëmijët me studime, të bëjnë qejf e të udhëtojnë. Kurse fëmijët tanë të presin fundin e muajit për të ngrënë bukë. Heshtja e shtetit tregon vjedhje. Shpikën koncesionet për të vjedhur popullin. E di shumë mirë historinë si e ka bërë shtëpinë në Surrel Edi Rama. Në tokën e kujt e ka bërë. E ka marrë me vendim të Fatmira Hajdarit tokën në 2017, tokën në Surrel. Është mbivendosje tokash. Ia ka marrë Ibrahim Deliajt. I bëj thirrje SPAK-ut të hetojë problemet e pronave në Shqipëri.” – tha një tjetër banor.