Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i Gradecit: Pse qeveria paguan 70 milionë euro për dy gjeneratorët pluskues kur kemi TEC-in e Vlorës?!


Kreu i Komisionit të Energjisë në Partinë e Lirisë, Klodian Gradeci, ka denoncuar qeverinë lidhur me marrjen e dy gjeneratorëve pluskues për prodhimin e energjisë ndërkohë që Shqipëria ka pasur Termocentralin e Vlorës, që nuk është vënë në punë asnjëherë.

Në një shënim në Facebook, Gradeci argumenton se çështja e marrjes së dy gjeneratorëve pluskues ka pasur shumë debat nëse ata kanë qenë zgjidhja e duhur, për shkak të kostos së madhe të prodhimit të energjisë, duke i shtuar kësaj edhe rrezikun lidhur me katastrofat e mundshme për shkak  të vjetërsisë.

Për më tepër që Shqipëria, shkruan ai, e ka një termoncentral që mund të prodhojë energjinë përmes lëndës djegëse naftë apo mazut.

“Pse u morën dy gjeneratorët pluskues, kur të tillë kemi TEC Vlorën? Për gati dy vjet ka patur një diskutim mbi vendimin e qeverisë për të marrë dy gjeneratorë për prodhimin e energjisë me burim lënë djegëse naftë/mazut. Ka patur shumë debat nëse kjo ishte zgjedhja e duhur për sigurinë e furnizimit me energji elektrike, në kohën që Evropa kontinentale kaloi një krizë të rëndë energjitike.  Ka patur shumë denoncime në lidhje me koston e lartë që duhej dhe po paguajmë për këto anije. Ka patur shume kritika në lidhje me ndotjen mjedisore, bashkë me riskun e lartë që këto anije gjeneratorë mbartin për shkak të amortizimit të tyre, në lidhje me katastrofat që kanë shfaqur në vende të tjera si shkak shpërthimi, zjarri apo aksidente industriale të pakontrolluara. Ajo që kërkon vëmendje më shumë se çdo gjë tjetër, është absurdi pse do duhej të merrej me qera prodhuesi pluskues me lendë djegëse naftë/mazut, kur Shqipëria e ka një të tillë të instaluar që në vitin 2012. Ky është TEC Vlora! Askush nga qeveria, nuk dëgjoi, reagimet e forta për të vënë në punë TEC Vlorën.” – shkruan Gradeci.

Më tej kreu i Komisionit të Enegjisë në PL argumenton se marrja e dy gjeneratorëve pluskues duke paguar për to 70 milionë euro, ndërkohë që më herët është paguar për të njëjtën gje 120 milonë euro për TEC-in e Vlorës është abuzim me taksat e qytetarëve.

Ai e shoqëron denoncimin me një studim që ka të bëjë me efektivitetin e përdorimit të gazit natyror në TEC-in eVlorës.

“Sipas vetë Entit Rregullator të Energjisë, konstatohet, se ky TEC është me cikël të kombinuar dhe përbehet nga dy turbina që prodhojnë energji. Njëra prodhon 67MË nga djegia e naftës dhe tjetra prodhon 30 MË nga përdorimi avullit nga procesi tejnxehjes. Gjatë periudhës së krizës energjitke, shumë nga gjeneruesit termo me cikël të kombinuar në evropë, kanë operuar vetëm me cikël të thjeshtë. E thënë më kuptueshëm, kanë punuar vetëm me naftë dhe nuk kanë patur në punë turbinat me avull ( gjeneratori i avullit të tejnxehur). Për ata që nuk e dinë TEC Vlora ka defekt në sistemin ftohës që vë në punë turbinën me avull. Arsyeja që nuk mund  vihej në punë turbina me lënde djegëse naftë deri në vitin 2021 ishte kosto shumë e lartë e prodhimit dhe mos leverdia ekonomike. Të paguash për dy anijet gjeneratorë 70 milion Euro, kur ke paguar vite më parë për TEC Vlora 120 milionë Euro dhe  sot nuk vendos dot në punë asnjërën  për shkak të kostos shumë të lartë që kanë për të prodhuar energji nga lëndë djegëse naftë, është gafë me pasoja të rënda. Përgjigjen pse u morën dy anijet gjeneratorë kur të tillë kemi TEC Vlorën dhe pse u sabotua sistemi energjitk shqiptar dhe siguria e furnizimit duke importuar sasi energjie me vlerë 700 milion Euro për 1 vit e gjysëm në tregun spekulativ, nuk mund ta fshini pafund! Shqiptarët e dinë faktin se, TEC Vlora vihet në operim me naftë pa turbinën me avull, por ju kishit “harruar”!” – mbyll denoncimin Gradeci.