Vendosni fjalën kyçe....

Gjiknuri dhe Llatja takim në Katund të Ri: Më 14 maj konsolidojmë partneritetin qeveri-bashki për më shumë investime


 Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri zhvilloi një takim me banorët e Katundit të Ri në Elbasan, ku i pranishëm ishte edhe kandidati i Elbasanit, Gledian Llatja.

Gjiknuri u kujdes të theksonte se kandidati Gledian Llatja ka mbështetëse Partinë Socialiste në garën e këtyre zgjedhjeve.

 “Gledi në këtë garë nuk është vetëm. Pse s’është vetëm? Gledi në këtë garë ka Partinë Socialiste, qeverinë shqiptare. Kundërshtari do ta paraqesë këtë garë kur vjen në Elbasan sikur është gara mes dy individëve. A thua se po bëhet gara për kryetarin e fshatit apo dy njerëz që i vë në ring aty kush bokson më mirë. Jo! Kjo është garë për qeverisjen e Elbasanit, për administrimin e bashkisë së Elbasanit dhe për të përmbushur angazhimet që kanë dhe që presin qytetarët e Elbasanit. Kjo gjë nuk bëhet vetëm. Kushdo të jetë kryetar bashkie në Elbasan me taksat e qytetarëve të Elbasanit nuk i adreson dot të gjithë nevojat. Kjo është e vërteta. Duhet patjetër të ketë një partner të fortë. Dhe partneri i fortë është mazhoranca, është qeveria e Partisë Socialiste”, tha Gjiknuri.

Numri dy i socialistëve nënvizoi rëndësinë e votës për të vijuar bashkëpunimin mes qeverisë dhe pushtetit vendor për të mos ndalur investimet.

“Në 14 maj ne konsolidojmë edhe këtë marrëdhënie dhe këtë binom. Shumë nga projektet nuk mund të bëhen pa mbështetjen e qeverisë. Projektet e mëdha siç është rehabilitimi i lagjes së Kalasë, projekti i Automotoparkut që do ketë një shëtitore dhe që do sjellë zhvillim ekonomik, By Passi e të tjera janë projekte me mbështetjen e qeverisë shqiptare. Prandaj them Gledi nuk është vetëm në këtë garë. Kundërshtari e ka gjetur si stil, ngaqë nuk ka çfarë përfaqëson politikisht kur vjen tek njerëzit u thotë: -“Unë jam vetëm, jam Luçi, jam njëri nga ju, jam djalë i mirë, jam profesor e të tjera si këto”. Po kur i bën pyetje kush të ka sjellë ty këtu ka frikë ta thotë. Por e vërteta është se e ka sjellë Ilir Meta me Sali Berishën. Ata dy janë padronët politik të vërtetë” theksoi Gjiknuri.

   Në takim me banorët e Katundit të Ri, kryetari i bashkisë Gledian Llatja tha se Elbasani ka taksat më të ulëta në të gjithë vendin, pikërisht për të mbështetur shtresat në nevojë.

Ne sot në bashkinë e Elbasanit kemi taksat më të ulta, jemi një bashki sociale. Janë gati 5600 familje që trajtohen me kemp, 4800 familje që janë me ndihmë ekonomike. Gjithashtu kemi një sërë familjesh të tjera të cilët janë pensionistë të vetmuar që ne i konsiderojmë të gjitha këto që futen në një klaster, bëjnë gati 15  mijë familje në bashkinë e Elbasanit. Të gjitha këto ne i përjashtojmë nga taksat tona kryesore. Ai që është pensionist i vetmuar ne e kemi përjashtuar nga taksat dhe tarifat, ai që është emigrant, familjet e emigrantëve të cilët janë të rregjistruar si emigrant janë të përjashtuar nga taksat dhe tarifat. Ne i kemi hequr taksat vendore, pra i kemi përjashtuar emigrantët nga taksat sepse është llogjike, nuk ka pse të paguajnë taksë pastrimi dhe ndriçimi kur ai nuk jeton këtu, dhe realisht këta janë përjashtuar”, u shpreh Llatja.

Ai shtoi se pretendimet e kundërshtarit të tij në garë, për gjoja uljen e taksave, janë të pabazuara në ligj dhe thjesht gënjështra para zgjedhjeve.

“Ka një taksë ligjore për tarifat dhe taksat që ne kemi për  objektet, ligji thotë të ulen deri në 35% të tavanit normal. Bashkia e Elbasanit, duke qenë se ka përjashtuar një sërë kategorishë nga këto taksa e ka lënë me 30 % me vendim të Këshillit Bashkiak. Ky tani thotë ne do t’i ulim me 50% kur ligji të thotë 35% është maksimumi.Thotë do t’i ulim me 50%, por llogjika është se edhe këto që përjashtojmë ne do t’i tarifojë. Pra i bie që një familje në nevojë, një familje që janë pensionistë të vetmuar, një familje emigrantësh , një familje të atyre që e kanë pamundësi të trajtohen me Kemp , do të tarifohet njësoj si ata që janë të aftë, si biznesmeni, si çdo qytetar tjetër që ka një të ardhur të mirë ekonomike”, tha Llatja.