Vendosni fjalën kyçe....

Kapen 14 kg heroinë në autobusin e linjës Durrës-Milano, në pranga 2 persona


Një sasi prej rreth 14 kilogramësh e dyshuar heroinë është kapur në Portin e Durrësit në autobusin e linjës Durrës-Milano.

Lënda e dyshuar narkotike ishte e fshehur në 26 pako të mbështjella me natriban.

Në pranga kanë përfunduar 32-vjeçari Mikel Pici, banues në Rrogozhinëm pronar i linjës së autobusëve ‘Durrës-Milano’ e 57-vjeçari Piro Rushi, Banues në Fier, drejtues i autobusit ku u gjen lënda narkotike.

Njoftimi

“Shërbimet e Policisë Kufitare, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafiqe të paligjshme, si rezultat i intensifikimit të kontrollit, bazuar dhe në analizën e riskut dhe në inteligjencën informative, kanë kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë, autobusin e linjës “Durrës-Milano”.

Nga kontrolli i imtësishëm, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës, dhe autoritetet doganore, duke përdorur edhe teknikat bashkëkohore të kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehura në pjesën e pasme të autobusit, 26 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar heroinë me peshë totale 13 kilogramë e 750 gramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:

-Mikel Pici, 32 vjeç, banues në Rrogozhinë, pronari i firmës së linjës së autobusëve “Durrës-Milano”;

-Piro Rushi, 57 vjeç, banues në Fier, drejtuesi i autobusit ku u gjet lënda narkotike.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit Mikel Pici iu gjet një dozë lënde narkotike kokainë.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 8 celularë.

Ndërkohë, strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për zbardhjen e plotë të këtij rasti, për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.