Një burrë nga Teksasi shkoi te shtëpia e fqinjëve me një pushkë dhe qëlloi për vdekje pesë nga anëtarët e saj, duke përfshirë një djalë 8-vjeçar, pasi ata i kërkuan atij të ndalonte zhurmën që po bënte në oborrin e tij duke qëlluar me armë, teksa ata po përpiqeshin të flinin, thanë autoritetet të shtunën.
I dyshuari, i identifikuar si 38-vjeçari Francisco Oropeza, mbeti i lirë më shumë se 18 orë pas të shtënave dhe autoritetet paralajmëruan se ai mund të ishte ende i armatosur. Sulmi ndodhi pak para mesnatës së të premtes, pranë qytetit të Cleveland, në veri të Hjustonit, në një rrugë ku disa banorë thonë se nuk është e pazakontë të dëgjosh fqinjët duke qëlluar me armë.
Sherifi i Qarkut San Jacinto, Greg Capers tha se Oropeza përdori një armë automatike dhe ndërsa kërkimi për të vijon ende, autoritetet kishin zgjeruar përpjekjet e tyre deri në ’10-20 milje’ nga skena e vrasjes.
Capers tha se viktimat ishin midis moshës 8 dhe 31 vjeç dhe se të gjithë besohej se ishin nga Hondurasi. Sulmi është akti i fundit i dhunës me armë në atë që ka qenë një ritëm rekord i të shtënave masive në SHBA deri më tani këtë vit, disa prej të cilave kanë përfshirë edhe pushkë gjysmë automatike.
Vrasjet masive kanë ndodhur në vende të ndryshme – një shkollë Nashville, një bankë në Kentaki, një sallë vallëzimi në Kaliforninë Jugore dhe tani një lagje rurale në Teksas brenda një shtëpie njëkatëshe.