Një grup i strukturuar kriminal, i specializuar kryesisht për trafikun e narkotikeve, ka organizuar rrëmbimin dhe me pas eliminimin fizik te Fatmir Sulovarit(Krasniqi) dhe Leonard Thodhorit, i njohur me nofkën “Koçolja”, mesnatën e së enjtes së 6 prillit 2023, në qytetin e Sarandës.
Prokuroria dhe policia nuk kanë ende një përgjigje edhe pas 25 ditësh nga momenti kur ndodhi ngjarja, por tashme kanë një panoramë më të qartë të asaj çfarë ka ndodhur.
Pasi janë shoqëruar me dhjetëra dëshmitarë, janë ndaluar dhe ekspertuar të paktën 8 automjete, janë bastisur dhe kontrolluar disa banesa, janë kqyrur me dhjetëra orë filmime të kamerave të sigurisë dhe janë zbardhur komunikimet telefonike të personave të dyshuar, u arrit në përfundimin se pas kësaj ngjarje qëndron një strukture e qëndrueshme kriminale, e cila ka përdorur si bazë operacionale të saj qytetin e Sarandës.
Nga të dhënat e deritanishme, kjo strukture kriminale, rezulton të ketë një aktvitet të gjatë në trafikun e narkotikeve, fillimisht të kanabisit nga Shqipëria drejt Greqisë dhe më pas ka kaluar në trafikun e drogave të forta. Aktualisht ky grup kriminal ka siguruar një linje të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.
Saranda shërben si bazë operacionale, nga ku grupi ka drejtuar aktivitetin e vetë, por edhe si vend ku janë investuar paratë e fituara nga narkotrafiku.
I njëjti grup kriminal, dyshohet se ka organizuar dhe finalizuar atentatin me minë të telekomanduar të 11 qershorit 2022, ku afër rreth-rrotullimit të TEG-ut humbi jetën në një atentat mafioz, 27 vjeçari Aleksandër Sadikaj.
Deri tani dy ngjarjet rezultojnë të mos kenë lidhje me njëra tjetrën, edhe pse janë kryer nga e njëjta strukturë kriminale.
Në rastin e ngjarjes së 6 prillit, rezulton se ky grup kriminal ka patur në objektiv, vetëm rrëmbimin e shtetasit Leonard Thodhori, për shkak të një marrëveshje që ka shkuar keq.
Por ky i fundit pasi ka nuhatur rrezikun, dyshohet të ketë kërkuar ndihmën e pronarit të disko “El Dorado” në Ksamil, Fatmir Sulovari, i cili ka qenë i armatosur me pistoletë.
Nga dinamika e deritanishme, rezulton se autorët, pasi kanë tërhequr në një takim-gracke dy viktimat, i kanë rrëmbyer ata duke i çuar në një “bazë të sigurtë” në periferi të Sarandës. Nga aty trupat e viktimave dyshohet të jenë eleminuar fizikisht dhe të jenë fshehur.
Pavarësisht operacioneve të kërkimit për ditë të tera nga policia dhe familjarët e të zhdukurve, nuk janë gjetur ende trupat e viktimave.
Kërkime janë berë në zonën e Vrinës dhe Konispolit ku dyshohej se kufomat mund të ishin groposur. Më pas u bënë kërkime në zonën e kanalit Çukes, kanalit të Vivarit dhe në liqenin e Butrintit me polumbarë të forcave RENEA.
As përdorimi i droneve nga ajri nuk dha rezultat.
Deri tani, Prokuroria ka arrestuar vetëm shtetasin Sofokli Andrea Baxheri, i datëlindjes 7.11.1995, i cili ka shërbyer në rol ndihmës, si dhe në gjetjen e mjeteve apo bazës së sigurtë ku kanë vepruar autorët.
Ndërkohë janë shpallur në kërkim policor të paktën 5 shtetas të tjerë, dy prej të cilëve me rol kryesore në grup, dyshohet të jenë larguar menjëherë pas ngjarjes për në Dubai.
Mes personave të dyshuar për këtë ngjarje, është edhe një shtetas me origjinë nga veriu i Shqiperisë, por nuk është bërë e mundur të gjendet vendndodhja e tij. Ky person ka qëndruar për disa kohë në Sarandë. Ai rezulton se ka qenë në qytet edhe mbrëmjen kur ka ndodhur ngjarja.
Më pas është larguar pa u lokalizuar më vendndodhja e tij.
VINI RE: Artikulli është marrë nga Facebook-u i Artan Hoxhës