Vendosni fjalën kyçe....

Berisha takim në Kamëz: Jetojmë në diktaturë, Rama jeton në saraje me 5 mijë metra park


Ish-kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë ditën e sotme në një takim elektoral në zonën e Paskuqanit me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Kamzës, Arjan Hoxhën.

Berisha përsëriti sërish se vendi është në një diktaturë sepse të gjitha pushtetet janë të përqendruara në një dorë.

Berisha vijoi duke folur për kryeministrin Rama, për të cilin tha se “jeton në saraje” që kanë 5 mijë metra park përreth dhe kanë ullinj 3-400 vjeçarë që kushtojnë nga 20 mijë euro.

Ai vijoi me thirrjet për kryeministrin duke e ftuar që të tregojë para qytetarëve “dramën” që ka shkaktuar i vëllai dhe ortakët e tij me call-centerat, duke përfituar sipas tij mbi 2 miliardë euro.

Sot vendi është një diktaturë sepse të gjitha pushtetet janë të përqendruara në një dorë. Sot në Shqipëri çdo pushtet qendror dhe vendor, i drejtësisë, mediave, parlamenti, janë në duart e një njeriu. Kjo përbën në kuptimin e vërtetë të fjalës pushtetin më abuziv dhe të rrezikshëm për vendin dhe qytetarët. Kjo është një diktaturë e bazuar në një organizatë kriminale që qeveris duke vjedhur nga mëngjesi në darkë, duke grabitur pasuritë e vendit, duke përdorur drogën e krimin. Diktatura e bandës është forma më e rrezikshme dhe e shëmtuar e gjithë diktaturave.

Edi Rama nuk del dot kurrë. Si mund të dalë ai që jeton në saraje. Kam qenë rrogëtar i këtij shteti 30 vite, një apartament 130 metra kam, më të madh nuk e blija dot, kjo është e vërteta. Po ti që ndërtove sarajet me 5 mijë metra park përreth, me ullinj 300-400 vjeçarë që kushtojnë 20 mijë euro. Hajde thuaju këtyre qytetarëve dhe tregoji ku i ke marrë.

Nuk i ke trashëgimi nga nëna apo baba ato, i ke vjedhur. E kam ftuar dhe e ftoj, hajde dil para qytetarëve. të dy kemi familjarë. Ata nuk mund të fitojnë tendera. Nuk del dot Edi Rama sepse ka përdorur pushtetin për pasurimin e tij. Hajde pak të tregoj se çfarë drame ka krijuar Olsi me ortakët e vetë, mbi 2 miliardë euro me call-centera. Ai ka firmosur dhe unë kam firmosur. Ti ke firmosur 420 milionë euro djegësat. Po shkojnë paratë në Teheran. Ja Kipja që u merr për xhepat e Ramës dhe Velisë 29 euro tarifë për mbetjet.

Pasi e kemi kritikuar u mor me rrogat, mashtrues i paskrupullt. Ja rrita rrogën presidentit tha, 4.6 milionë lekë. Kjo është shpirtkazmëri, me atë akt diferencën mes rrogës së presidentit dhe të pastrueses që ishte 8 deri në 10 herë e bëre 15 herë. Në diktatura bëhen këto”, u shpreh Berisha.