Vendosni fjalën kyçe....

Ish-ministri i Financave e ish-zyrtari i FMN-së Santiago Pena fiton zgjedhjet presidenciale në Paraguai


Presidentit të sapozgjedhur të Paraguajit, Santiago Pena, një ish-drejtor i Bankës Qendrore, do t’i duhet gjithë zgjuarsia dhe gjakftohtësia e tij për të drejtuar kombin e Amerikës së Jugut përmes stuhive ekonomike që po dëmtojnë votuesit dhe presionit në rritje nga fermerët për të ndërprerë lidhjet me Tajvanin.

Ish-ekonomisti i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), njëherazi ish-ministri i i Fnancave i vendit, i cili u zgjodh vetë nga kreu i fuqishëm i forcës dominuese politike të vendit, Partia Konservatore e Kolorados, shënoi një fitore të pastër në zgjedhjet presidenciale të dielën.

Pena, 44 vjeç, iu kundërvu kundërshtarit të opozitës së qendrës së majtë, Efrain Alegre, duke marrë rreth 43% të votave ndaj rreth 27.5%, sipas rezultateve paraprake nga gjykata elektorale e vendit. Ai pretendoi fitoren dhe Alegre e pranoi rezultatin, shkruan Reuters.

“Ne kemi shumë për të bërë, pas viteve të fundit të ngecjes ekonomike, të deficitit fiskal, detyra që na pret nuk është për një person të vetëm apo për një parti”, tha Pena në fjalimin e tij të fitores, duke bërë thirrje për ‘bashkim dhe mirëkuptim’.

“Ka ardhur koha për të hedhur tej mosmarrëveshjet tona për t’i dhënë përparësi kauzave të përbashkëta që na bashkojnë si komb.”

Pena, i cili merr detyrën më 15 gusht, do përballet me presionin për të tkurrur deficitin fiskal në rritje, për të qetësuar fermerët që bëjnë thirrje që vendi të shkëpusë marrëdhëniet me Tajvanin dhe të forcojë marrëdhëniet me Kinën, si dhe të sqarojë akuzat për korrupsion nga Thesari i SHBA-së që kanë tronditur liderin e fuqishëm të partisë dhe aleatin e ngushtë Horacio Cartes.

Megjithatë, Pena do jetë në gjendje të drejtojë vendin mes trazirave, thonë mbështetësit e tij.

“Mendoj se ajo që e karakterizon është se ka një qetësi të pafund”, tha Lea Gimenez, e cila shërbeu si  zëvendëse e Penas kur ishte ministër i Financave dhe më vonë ishte vetë ministre e Financave.

“Edhe gjatë kësaj fushate elektorale, e cila ka zgjatur aq shumë, sepse kemi qenë në proces për gati një vit e gjysmë, nuk e kam parë një herë të humbasë durimin.”

‘Santi’, siç njihet shpesh, ka premtuar politika miqësore ndaj biznesit që përqendrohen në krijimin e vendeve të punës, mbajtjen e taksave të ulëta dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Gjatë gjithë fushatës, kandidati i Partisë Kolorado është zotuar të zgjasë marrëdhëniet diplomatike me Tajvanin, që zgjasin prej shumë dekadash mes dy vendeve, pavarësisht presioneve për t’u hapur ndaj Kinës dhe kërkesës së saj të madhe të konsumatorëve për sojë dhe mish viçi. Paraguaji është një nga vetëm 13 vendet globalisht që njohin Tajvanin.

Ata që e njohin Penën e përshkruan atë për Reuters si ‘të pastër’, ‘të mirë’ dhe me ‘ide të qarta’. Kritikët thonë se ai është një anëtar i elitës së paprekur, të cilit i mungon përvoja politike dhe po vepron si një kukull e liderit të partisë dhe mbështetësit kryesor Cartes.

“Ai nuk është një politikan që do revolucionin, ai do zhvillimin”, tha një biznesmen me investime në Paraguaj, i cili e njeh personalisht Penën, duke kërkuar të mos përmendet emri.

‘Përvoja jetësore’

Karriera politike e Penas mori hov kur protestat në 2016 detyruan presidentin e atëhershëm Cartes të braktiste planet për të kërkuar një mandat shtesë duke amenduar kushtetutën dhe për të zgjedhur Penan si pasuesin e tij të synuar.

Anëtarët e Partisë Kolorado, megjithatë, nuk ishin të bindur se pamja e shkëlqyeshme prej qytetari dhe koha e Penas në Uashington do funksiononte mirë me votuesit dhe ai humbi ndaj presidentit Mario Abdo Benitez në garën zgjedhore të 2018-ës.

Këtë herë Pena është njeriu i partisë. Ai mbështetet edhe një herë nga Cartes, të cilin disa e shohin si fuqinë pas tij, por që po përballet me sanksionet e SHBA-së mbi akuzat për korrupsion që kanë dëmtuar reputacionin e tij.

Pena u martua me të dashurën e fëmijërisë dhe u bë baba për herë të parë në moshën 17-vjeçare. Ai studioi ekonomi në Paraguaj dhe më vonë ndoqi Universitetin Kolumbia të Nju Jorkut.

Ai punoi si ekonomist në Bankën Qendrore në Asuncion dhe më pas me FMN-në në Uashington, përpara se të kthehej në Paraguaj në bordin e Bankës Qendrore. Ai u bë ministër i Financave në vitin 2015.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters