Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi: Drejtorët kryesorë në bashki dyshohet se po blejnë vota, po mbledhim prova për Kapllanin, Bejkon e Malokun


Belind Këlliçi tha sot se drejtorët kryesorë të bashkisë Tiranë, ku ai garon më 14 maj, po ndiqen hap pas hapi për abuzimt e tyre si dhe po verifikohen pasi po blejnë vota për kryebashkiakun Veliaj.

I ftuar në ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë tha se përveç Mariglen Qatos, ka denoncim për abuzime edhe për drejtorët e tjerë në bashki, Arben Maloku, Ermal Kapllani e Erind Bejkon.

“Qytetarët duan ndryshimin, janë të lodhur. Sigurisht që efekti 10-vjeçar i një qeverisjeje të keqe ka bërë të vetën, por mbi të gjitha, 8-vjeçari i bashkisë ka qenë rrënues për ta, sepse në fund të ditës dera e parë ku troket qytetari kur ka një problem, është bashkia. Tenton të shkojë në bashki dhe duke qenë se ka një shkëputje tërësisht të kryetarit të bashkisë dhe të administratës së bashkisë së Tiranës me qytetarët, sigurisht që qytetarët janë lënë në harresë. Ka bërë një efekt të jashtëzakonshëm ai denoncim që unë kam bërë me fakte, me shifra, me prova i njërit prej drejtorëve më të rëndësishëm të Erion Veliajt, Mariglen Qatos, i cili i kushton qytetarëve të Tiranës, 25 milionë euro! Pra, vetëm një drejtor kushton 25 milionë euro. Me 25 milionë euro kishe zgjedhur problemet e çerdheve dhe kopshteve në pjesën dërrmuese të Tiranës, i kishe mbyllur të gjitha. Pra, në vend që t’ia japësh miqve të tu, ortakëve të tu, ti duhet t’ua japësh qytetarëve në formën e investimeve, të shërbimeve dhe sigurisht kam marrë pafund raste denoncimesh apo ankesa.” – tha Këlliçi.

Ai shtoi më tej se ekipi i tij po mbledh dokumente për Arben Malokun në zonën e Zall Herrit, Erind Bejkon në Kombinat e Ermal Kapllanin.

“Jemi ende në mbledhje të dokumenteve për Arben Malokun në zonën e Zall Herrit, që më thonë se po blen vota në Tapizë, në zona të ndryshme. Të njëjtën gjë më thonë për Erind Bejkon në Kombinat, që po mbledhim të dhëna. Për Ermal Kapllanin, që më thonë të njëjtën gjë. Kështu që për të gjitha jam duke bërë një ‘fact checking’. Kur të dal, dua të dal me letra. Nga ana tjetër qytetarët nuk gënjehen. Dje për shembull më thoshte dikush një gjë të jashtëzakonshme, në takimin në Pezë. Më tha: “Belind, këta afrojnë 50 mijë lekë apo 100 mijë lekë për votë ndërkohë që ti na afron t’i mbajmë lekët tona në xhep me politikë’ dhe po ua shpjegonte të tjerëve. Ishte shumë interesante se çfarë analize kishte bërë. “Këta na thonë që të japim 50 mijë lekë apo 100 mijë lekë për të blerrë votën, kurse ti me mënyrën se si po na e shpjegon programin dhe me programin që na afron, vetëm prej autobusit na le 52 mijë lekë në muaj çdo muaj për 4 vjet!.” – shtoi Këlliçi.