Kryeministri Edi Rama gjatë ndalesës në Librazhd në kuadër të takimeve që po zhvillon në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit, prezantoi kandidatin e PS, Mariglen Qaton.
Rama nuk harroi pa vlerësuar punën e Kastriot Gurrës të cilin nuk e rikandidoi për herë të tretë por e cilësoi si personin që transformoi të gjithë bashkinë.
Rama tha se ai do të ngrihet në detyrë në Tiranë, por nuk e bëri me dije postin që do të marrë.
“Më vjen mirë që edhe këtu si në stacionet e tjera kemi mundësi të flasim përmes punëve të bëra, veprave të kryera. Dua që në krye të fjalës t’i bëj një falënderim të veçantë Kastriotit, i cili për dy mandate me radhë ka qenë këmbëngulës, kërkues, shumë i përkushtuar në krye të punëve. Dua ta dini që pa Kastriotin ne nuk do kishim mundur dot të bënim këto ndryshime të mëdha në gjithë bashkinë Librazhd. Kastrioti e dorëzon stafetën me faqe të bardhë dhe është gati të marrë një detyrë të rëndësishme në Tiranë dhe për të qenë në vazhdim një derë e hapur për të gjithë ju, por edhe për të qenë një krah për Mariglenin i cili vjen nga një eksperiencë pune dhe i takon mos të lëvizë nga Librazhdi dhe të jetë krah jush 24 orë në 7 ditë të javës pranë jush.
Më kujtohet kur kemi ardhur në këtë zonë dhe kemi parë se çfarë katastrofe ishte kjo hapësirë mu ngjitur me qytetin dhe kemi vendosur ta kthejmë në park të madh të gjithë qytetit, i cili tani më është para syve të gjithëve dhe duhet vazhduar të mbillen pemë dhe të ketë përkujdesje në mënyrë që të bëhet një park për një komunitet shembullore. Janë kopshtet, shkollat, qendrat shëndetësore që janë transformuar. Sot ne jemi në fazën e transformimit të madh ekonomik dhe rritja e pagave është shembulli më kuptimplotë i këtij transformimi”, tha Rama.