Prokurori i përgjithshëm bullgar Ivan Geshev ishte objektivi i një atentati të hënën në mëngjes, thanë autoritetet në Sofje. Një bombë në anë të rrugës shpërtheu ndërsa autokolona e Geshev po kalonte pranë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:45 me orën lokale, teksa Geshev po kthehej në Sofje nga Samokovi. Teksa autokolona e tij bëri një kthesë të ngushtë, bomba e vendosur në anë të rrugës shpërtheu, tha zëvendësprokurori i përgjithshëm Borislav Sarafov për TV bullgar BNT.
Sipas Sarafov, bomba ishte vendosur me ‘qëllimin për të vrarë, jo për të frikësuar’. Ai tha se pajisja ishte e mbushur me copëza dhe përmbante rreth 3 kilogramë tritol. Shpërthimi la një krater katër metra të gjerë dhe 40 centimetra të thellë, por ‘për mrekulli’ askush nuk u lëndua.
Ministria e Brendshme ka hapur një hetim për terrorizëm dhe është zotuar të gjurmojë autorët. “Kërcënimi për jetën dhe shëndetin e çdo qytetari bullgar është i papranueshëm dhe veprimet tona janë dhe do të jenë në mbrojtje të popullit”, tha Sekretari i PPërgjithshëm i ministrisë, Petar Todorov.
Geshev është kryeprokuror i Bullgarisë që nga nëntori i vitit 2019. Para kësaj, ai ka qenë zëvendëskryeprokuror dhe shef i zyrës së prokurorit special. Sidoqoftë, emërimi dhe mandati i tij janë shoqëruar me polemika.
Emërimi i tij u prit me protesta masive, pasi OJQ-të bullgare akuzuan Geshevin se ishte moralisht i papërshtatshëm për këtë detyrë, pasi ishte përfshirë në përndjekje politike dhe kishte shkelur ndarjen e pushteteve. Një politolog e quajti Geshevin ‘varrmihësi i demokracisë bullgare’.
Presidenti Rumen Radev fillimisht vuri veton ndaj emërimit të tij, por u anulua nga këshilli gjyqësor. Geshev udhëhoqi bastisjen në zyrën e Radevit në vitin 2020, duke shkaktuar një tur tjetër protestash kundër prokurorit dhe qeverisë së kryeministrit Bojko Borisov.
Parlamenti Evropian i përkrahu protestuesit dhe kritikoi Bullgarinë për ‘një përkeqësim të konsiderueshëm në respektimin e parimeve të sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave themelore’.
Prokurori gjithashtu tërhoqi kritika nga SHBA në 2022, pasi kundërshtoi të zbatonte Aktin Global Magnitsky. Geshev e kishte quajtur ligjin amerikan një ‘mjet administrativ dhe politik’ të Uashingtonit, i cili nuk kishte peshë ligjore në Bullgari.